
Emigrantët shqiptarë të bllokuar prej 3 ditësh në pikën kufitare të Kakavijës, në pritje për të kaluar, i kanë bërë thirrje kryeministrit Rama të ndërhyjë për të zgjidhur situatën.
Shkak për radhën e madhe është bërë testimi i detyrueshëm për këdo që kalon kufirin dhe mbyllja e sporteleve të palës greke nga ora 22:00 e mbrëmjes deri në orë 06:00 të mëngjesit.
Temperaturat e larta dhe radha kilometrike kanë bërë që shumë prej emigrantëve të kenë probleme shëndetësore, por kjo nuk ka ndikuar që pala greke të shtojë stafin e mjekëve që marrin tamponët, apo të policëve doganorë. Madje dy të moshuar në pritje për të kaluar kufirin janë nisur drejt spitalit për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore.
Emigrantët i kanë kërkuar Ramës që të ndërhyjë dhe t’i kërkojë palës greke të shtojë stafin, pasi emigrantët kanë ardhur në Shqipëri për të ripërtërirë kartat e identitetit dhe pasaportat dhe pak prej tyre për të kaluar pushimet.
Vendimi i qeverisë greke për të futur në karatinë të detyruar këdo që hyn në Greqi pas datës 17 gusht, ka bërë që të gjithë emigrantët e mbetur ende në Shqipëri të nxitojnë për tu kthyer.
Po ashtu të gjithë ata që do hyjnë në Greqi pas 17 gushtit do të duhet ta paguajnë bërjen e tamponit.