
Zëvendësministri i Jashtëm Agron Tare ka deklaruar se dogana greke do të lejojë emigrantët shqiptarë të kalojnë pa bërë testin për Covid-19, pas ndërhyrjes së qeverisë.
Në një intervistë për Report Tv, Tare u shpreh:
“Në këto momente është hapur kufiri dhe po kalojnë qytetarët se ishte bllokuar. Kjo situatë është në të gjithë botën, janë kushte të sigurisë, jo se grekët kanë bllokuar.
Tani do hapet, po diskutohet që të hiqet testi, disa do kalojnë pa tamponë, disa të tjerë që ka dyshime do u bëhet.”
Ai sqaroi se testimi do të jetë me kampionim:
“Nëse kalojnë 100 makina, 10 qytetarë mund t’u bëhet tampno, të tjerëve jo.”
Prej tre ditësh, në pikën kufitare të Kakavijës janë krijuar radhë kilometrike me emigrantë që duhet të ktheheshin në Greqi para datës 17 gusht, kur hyn në fuqi karantina e detyruar për këdo që hyn në Greqi.
Shkak për radhën e madhe në Kakavijë është bërë testimi i detyrueshëm për këdo që kalon kufirin dhe mbyllja e sporteleve të palës greke nga ora 22:00 e mbrëmjes deri në orë 06:00 të mëngjesit. Por pas ankimit të qytetarëve dhe ndërhyrjes së qeverisë duket se situata është lehtësuar disi.