A e ndryshoi Fatmir Xhafaj nenin 491 të kodit penal?

A e ndryshoi Fatmir Xhafaj nenin 491 të kodit penal?

Gjatë ditëve të fundit, ka prova të besueshme se Fatmir Xhafaj u përfshi në minutë të fundit në ndryshimin e nenit 491 të Kodit të Procedurës Penale. Neni 491 përcakton pikërisht kushtet për “Mospranimin e kërkesës për ekstradim”.

Ky nen ishte pjesë e ndryshimeve të miratuara më 30 mars 2017, dhe mënyra se si është ndryshuar neni në fjalë është rikthyer në vëmendje të debatit publik ditët e fundit. Kjo, pikërisht për shkak të rastit të Agron Xhafajt, i cili u dënua pa praninë e tij por u përfaqësua në gjyq nga zyra e shtrenjtë ligjore në Lecce, Giuseppe Bonsegna në seancën gjyqësore të zhvilluar në Itali.

Sot, Fatmir Xhafaj sot në një deklaratë publike akuzave të opozitës për ndërhyrje në Kodin e Procedurës Penale iu përgjigj se “Asnjë veprim imi, jo vetëm sot si ministër, por edhe më parë nuk ka krijuar imunitet, apo favor kundrejt ekzekutimit të vendimit”. 

Gjithashtu, Ministri Xhafaj akuzën për ndryshim të KPrP e cilësoi si “akuza më qesharake që kam dëgjuar për veten time”. Ai u shpreh se “kjo pikë e nenit 491, është një standard ndërkombëtar. Nuk e kemi shpikur dhe as jemi ne të vetmit. Është mot a mot përcaktimi i nenit 3, të Protokollit të Dytë Shtesë të Konventës Evropiane për Ekstradimin”.

Por dokumentet e dorëzuara në Kuvend dhe protokollet e diskutimeve te mbledhjeve të fundit të Komisionit të Çeshtjeve Ligjore vërtetojnë ndryshim të KPrP.

Personi përgjegjës për këtë ndryshim — e parëndësishme nëse e ka bërë ai vetë apo jo— është drejtuesi i Komisionit të Çështjeve Ligjore, Fatmir Xhafaj. Dyshimet mbi Xhafajn bie gjithashtu sepse ai është personi i cili ka interes për të bërë këtë ndryshim të paligjshëm në nenin që flet për ekstradimet duke qënë se vëllai i tij është i dënuar në Itali dhe paragrafi (f) i jep mundësinë t’i shmanget ekstradimit

Si u ndryshua neni:

Draftligji për ndryshimet e Kodit të Procedurës Penale u depozitua në Kuvend më 28 dhjetor 2016 dhe u shqyrtua nga Komisioni i Çështjeve Ligjore, i kryesuar nga Fatmir Xhafaj.

Pika 268 e draft ligjit propozon një shtojcë tek Kodi i Procedurës Penale, në pikën (f) të nenin 491. Kjo pikë e re parashikon se i dënuari nuk ekstradohet “kur personi i kërkuar është dënuar në mungesë, me përjashtim të rastit kur shteti kërkues jep garanci për rishikimin e vendimit”.

Në argumentin e saj, deputetja socialiste Vasilika Hysi tha se shtojca, pra pika (f) e nenit 491 “respekton […] parashikimet e protokollit të katërt shtesë të Konventës Evropiane për Ekstradim”

Po ashtu, e njëjta pikë në draft-ligji, propozon që Nenit 491 t’i shtohet një pikë e dytë, me përmbajtjen si më poshtë:

“2. Në rastin e parashikuar nga shkronja f), Ministria e Drejtësisë fton shtetin kërkues që të kërkojë njohjen e vendimit penal të huaj dhe ekzekutimin e tij. Në rastin kur kërkesa paraqitet, zbatohen dispozitat e neneve 512 e vijues të këtij Kodi.” 

Mbledhja e Komisionit të Çështjeve Ligjore, e mbajtur në datën 13 mars 2017, e kryesuar nga Fatmir Xhafaj dhe e bojkotuar nga  Partia Demokratike, me pjesëmarrjen e ekspertëve ligjore përfshirë eksperten ligjore të EURALIUS Koraljka Bumçi dhe ekspertin e OPDAT-it John Smibert, nuk ka asnjë diskutim mbi ndryshimet e propozuara në nenin 491 në KPK për ekstradimin në përgjithësi.

Në mbledhjen e datës 20 mars 2017, sërish e kryesuar nga Fatmir Xhafaj dhe e bojkotuar nga PD, komisioni miratoi ndryshimet në nenin 491 të KPK-së të propozuar në ligjin 35/2017 neni 268, pa asnjë ndryshim. I njejti nen u miratua sërish në mbledhjen e tretë të komisionit të mbajtur më 21 mars 2017 pa asnjë diskutim.

Megjithatë, diçka në tekstin e ri tashmë të Kodit të Procedurës Penale ndryshoi nga periudha e mbledhjes përfundimtare të Komisionit të Çështjeve Ligjore deri në momentin që draft ligji u paraqit në Kuvend.

Në raportin e dërguar nga Komisioni i Ligjeve në Parlament shkruhet se teksti i plotë i ligjit 35/2017 reflekton përfundimet e diskutimit publik të mbajtur në komision dhe të gjitha komentet e dhëna nga ekspertët ligjorë, përfshirë ato të OPDAT dhe EURALIUS, më shumë detaje të ndryshimeve të nenit 491, të KPK-së paraqiten në faqen 32:

“Në nenin 491 të Kodit në lidhje me rastet e ndalimit të ekstradimit janë shtuar dhe dy paragrafë të tjerë përveç atyre të parashikuara siç janë “kur është parashkruar ndjekja penale ose dënimi sipas ligjit të shtetit kërkues ose të shtetit të kërkuar”, si dhe “kur i personi i kërkuar është dënuar në mungesë dhe nuk jep pëlqimin për t’u ekstraduar”, të cilat reflektojnë respektimin e parimit të procesit të rregullt ligjor dhe parashikimeve të Protokollit IV Shtesë të Konventës së Ekstradimit;”

Gjithashtu, në rastin kur personi i kërkuar është dënuar në mungesë dhe nuk jep pëlqim për ekstradim atëherë është shtuar në nenin 491 pika 2, duke përcaktuar se Ministria e Drejtësisë fton shtetin kërkues që të kërkojë njohjen e vendimit penal të huaj dhe ekzekutimin e tij. Në rastin kur kërkesa paraqitet, zbatohen dispozitat e neneve 512 e vijues të këtij Kodi;”

Deri më këtu këto ndryshime reflektohen në tekstin fillestar të draft ligjit, si dhe diskutimet e mbajtura në Komisionin e Çështjeve Ligjore.

Sidoqoftë, teksti i plotë i ligjit 35/2017 i përfshirë si një aneks i raportit ndryshon tërësisht amendimet në faqen 124:

Pika 470 e draftligjit thotë:

Neni 491 ndryshon si më poshtë: f) kur personi i kërkuar është dënuar në mungesë, me përjashtim të rastit kur shteti kërkues jep garanci për rishikimin e vendimit.

Ndërsa pika 2 e nenit 491 nuk rezulton më fare të jetë pjesë e draftligjit që do të votohej në parlament.

Pra pika (f) e nenit 491, nga esktradimi i të dënuarit nuk lejohet kur i personi i kërkuar është dënuar në mungesë dhe nuk jep pëlqimin për t’u ekstraduar”, u ndryshua në fund të raportit në esktradimi i të dënuarit nuk lejohet kur personi i kërkuar është dënuar në mungesë, me përjashtim të rastit kur shteti kërkues jep garanci për rishikimin e vendimit”

Ky i fundit është edhe varianti i miratuar, – me ndryshime në pikën f dhe fshirje totale të pikës 2 të nenit 491, – vetëm me votat e Partisë Socialiste në Kuvend (PD bojkotoi seancën).

Me fjalë të tjera, diku ndërmjet faqes 32 dhe faqes 124 të raportit të firmosur nga Xhafaj, ndryshimet në nenin 491 të KPK-së kanë ndryshuar nga një praktikë që i jep mundësinë një vendimi të huaj të njihet në Shqipëri nëse një shtetas shqiptar nuk pranon të ekstradohet dhe kërkon që shteti i huaj të “japë sigurinë për rishikimin e vendimit” në një kusht për ekstradimin e një shtetasi shqiptarë të gjykuar në mungesë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>