Kryebashkiakja e Shkodrës Voltana Ademi akuzoi qeverinë se po ndërmerr aksione për prishjen e ndërtimeve pa leje në bregdet, pa lajmëruar bashkitë dhe duke bërë diferencime mes pronarëve.
Ademi u përplas me ministrin Lleshaj gjatë një takimi në Golem, ku Lleshaj bashkë me ministrin Klosi kishin ftuar prefektët dhe kryebashkiakët për të folur mbi sezonin e ri turistik.
Zonja Ademi shprehu tre shqetësime:
- mostransparencën mes institucioneve,
- shembjen selektive,
- nxitimin e qeverisë për të shembur ndërtesat në prag të sezonit turistik.
Voltana Ademi u shpreh:
“IKMT ka ardhur në Shkodër për të bërë ca prishje në bregun e detit, lajmërohem nga media. Të gjithë duhet të ishim lajmëruar më parë, se kemi detyrimin për të komunikuar si duhet dhe për të mos krijuar mëdyshje në mënyrën e interpretimit dhe zbatimit të ligjit.
Kërkesa e dytë lidhet me aplikimin e drejtë të ligjit, pa pasur diferencime. Kam komunikime nga Shkodra, që thonë do të veprohet për dikë dhe dikë tjetër jo.
Për ndërtimet pa leje të ketë vendimmarrje për të gjithë njëlloj për të mos shkaktuar konflikte në territor, aq më tepër që jemi në fillim të sezonit. Do ishte më mirë, sikur komunikova me Dallëndyshe Bicin, që të mos bëhej këtë javë, por në shtator.”
IKMT nisi sot aksionin për shembjen e ndërtimeve pa leje në Velipojë, aksion gjatë së cilit pati përplasje me qytetarët.