Afërdita Rakipi, veprimtare e Komunitetit Shqiptaro-Amerikan, në një intervistë për emisionin “Me pak fjalë”, në Euronews tregoi se kushdo që të zgjidhet president i SHBA-ve do të mbështesë Shqipërinë.
“Biden është mik i vjetër i shqiptarëve. Ndërsa me Trumpin ende nuk i dihet. Megjithatë duhet të shohim se ku jemi shumicë dhe ku peshon më shumë vota jonë,” u shpreh ajo.
Zonja Rakipi tregoi se komuniteti shqiptaro-amerikan mund të lobojë për Shqipërinë, në veçanti në ato shtete të SHBA-ve ku vota e tyre ka më shumë peshë.
Ajo u shpreh se roli i lobimit të komunitetit shqiptarë ka rënë kohët e fundit. Ai, sipas Rakipit e arriti kulmin gjatë ‘krizës në Kosovë, sepse ishte në media kudo, investimi i Amerikës dhe gjithë botës.’
“Nuk më duket aq i fortë lobimi shqiptar, siç ishte në atë kohë. Megjithatë mund të luajmë një rol kyç,” vazhdoi ajo.
Rakipi tha se presidenti Trump “ka krijuar ndarje jo vetëm brenda komunitetit shqiptar, por edhe brenda Amerikës”.