Agjencitë dhe operatorët turistik do të rimbursojnë prenotimet për udhëtime të bëra përpara dhe gjatë periudhës së Covid-19.
Këshilli i Ministrave ka miratuar aktin normativ që i detyron këto biznese të rimbursojnë klientët brenda qershorit të vitit 2021.
Rimbursimi do të bëhet përmes një kuponi të barabartë me shërbimin e parapaguar, ose një shërbim të ngjashëm dhe turistët mund t’a përdorin atë brenda 1 viti.
Klientët do të marrin paratë si rimbursim vetëm në rast se agjencitë ose operatorët turistik nuk mund të ofrojnë shërbimin.
Akti Normativ i kërkon agjencive, operatorëve turistik dhe vetë turistëve që të njoftojnë njëri-tjetrin për rastet kur udhëtimi sipas prenotimit të klientit nuk është i mundur për shkak të mbylljes nga Covid-19.
Për prenotimet që i ka kaluar data, njoftimi duhet të bëhet brenda datës 10 Korrik, për të përfituar rimbursim.
Për rezervimet që nuk i ka kaluar data ende, njoftimi për pamundësi udhëtimi duhet të bëhet brenda 30 ditëve nga dita e nisjes së prenotimit.
Qeveria italiane ka miratuar një vendim të ngjashëm për rimbursim të turistëve me kupon të vlefshëm për 1 vit, por Autoriteti i Konkurencës së Tregut e refuzoi atë pas ankimimit nga Shoqata e Konsumatorëve.
Sipas saj ky vendim nuk përputhet me legjislacionin europian dhe “mund të keqpërdoret duke sjellë efekt zinxhir negativ.”
Autoriteti i Konkurencës në Itali ka theksuar se ofrimi i rimbursimit me kupon është i drejtë për sa kohë klientit nuk i ndalohet mundësia për të marrë shumën e parave të parapaguar nëse dëshiron.