
Kryetari i Partisë Agrare Ambjentaliste, Agron Duka ka uruar Partinë Socialiste për fitoren në zgjedhjet e 25 prillit ndërsa cilëson të gabuara disa nga vendimet e opozitës.
Në një reagim në rrjetet sociale, Duka shprehet se humbësi duhet “t’i japë dorën fituesit” pasi në të kundërt sipas tij “është i dënuar të humbasë përsëri”.
Kreu i PAA-së ka quajtuar të gabuara vendimet për djegien e mandateve dhe bojkotimin e zgjedhjeve vendore por se i ka mbështetur si pjesë e vendimarrjes brenda koalicionit.
Sa i përket akuzave për parregullsi gjatë procesit zgjedhor, Duka shprehet se me këtë duhet të merret drejtësia ndërsa bën thirrje për vetëkorrigjim të opozitës.
“Marr përsipër gabimet e bëra dhe i uroj kundërshtarit politik suksese në qeverisjen e ardhshme”, shkruan Agron Duka.
Agron Duka dhe partia e tij Agrare Ambjentaliste morën pjesë në zgjedhjet e 25 prillit si pjesë e koalicionit të Partisë Demokratike – Aleanca për Ndryshim. Ai ishte i dyti në listën e kandidatëve të Durrësit dhe është konfirmuar si fitues i mandatit të deputetit.