“Zonja dhe Zotërinj, kemi zbuluar valët gravitacionale. Ja dolëm!”
Me këto fjalë, profesori amerikan David Reitze bëri të njohur një arritje të jashtëzakonshme të shkencës, që mendohej se mund të mos vinte kurrë.
Në emër të një grupi fizikantësh, Profesor Rietze deklaroi të enjten se ata kanë dëgjuar dhe regjistruar zhurmën e dy vrimave të zeza që u përplasën me njëra tjetrën. Ky zbulim përmbush parashikimin e fundit, të pavërtetuar deri më tani, të Teorisë së Relativitetit të Përgjithshëm të Albert Ajnshtajnit.
100 vjet më parë, Ajnshtajni propozoi teorinë e tij të, në të cilën ai parashikonte, ndër të tjera, se përshpejtimi i objekteve masive e trondit “pëlhurën” e hapësirë-kohës dukë lëshuar valë gravitacionale—shtrembërime të kohë-hapësirës që shpërndahen përmes universit me shpejtësinë e dritës. (Për të krijuar një ide mbi shtrëmbërimet e hapësirë-kohës, imagjinoni një top të rëndë që lëshohet mbi një çarcaf elastik të tëndosur nga të gjitha anët; nën ndikimin e topit, çarcafi deformohet duke u harkuar në zonën përqark topit.)
Fizikantët dhe astronomët kishin filluar të besonin, që në vitet 1970-të, se valët gravitacionale ekzistonin, por prania e tyre dukej e pamundur të zbulohej nga toka, për shkak të dobësimit të jashtëzakonshëm që pësojnë këto valëzime ndërsa udhëtojnë përmes universit.
Ndërtimi, vitet e fundit, i detektorëve super të ndjeshëm krijoi mundësi të reja zbuluese, të cilat kulmuan me regjistrimin për herë të parë të valëve gravitacionale që u bë publik.
Një miliardë vjet më parë, në një galaksi të largët, dy vrima të zeza‑njëra—me masa respektive 29 dhe 36 herë masën e diellit—rrotulloheshin përqark njëra tjetrës, duke u ofruar gjithnjë e më shumë me njëra-tjetrën, në një orbitë spirale, deri sa më në fund u shkrinë në një.
Përplasja e tyre lëshoi një energji të jashtëzakonshme, të barabartë me një miliardë trilionë djej brenda një fraksion jashtëzakonisht të vogël të një sekonde. Kjo energji është ende duke u shpërhapur nëpër univers në formën e valëve të gravitetit dhe ka mbërritur edhe tek ne pasi ka udhëtuar mbi 1,3 miliardë vjet.