Ambasada e SHBA-ve në Tiranë i ka kërkuar partive politike të qendrojnë larg dhunës në fushatën zgjedhore.
“Presim nga udhëheqësit që të shfaqin udhëheqësi, [..] duke u siguruar që partitë dhe kandidatët e tyre sillen në përputhje me ligjet elektorale dhe standardet ndërkombëtare, duke refuzuar qartë dhunën [..]”, u shpreh ambasada në një deklaratë për shtyp, për nisjen e fushatës zgjedhore në vend.
Ambasada theksoi se SHBA-të do të marrin masa kundër atyre që nxisin dhunën dhe shkelin ligjin e zgjedhjeve:
“Ne do të marrim masat e duhura në përgjigje të atyre që pranojnë ose nxisin dhunën, pranojnë ose nxisin shkeljen e ligjeve zgjedhore dhe standardeve ndërkombëtare, apo ndryshe përpiqen të minojnë integritetin dhe besimin në procesin zgjedhor dhe rezultatet e tij”.
Në deklaratën për shtyp u theksua se qeveria ka rolin kryesor në garantimin e një fushate të qetë dhe ku të zbatohet kërkesat e SHBA-ve:
“Në këtë drejtim, është tërësisht e kuptueshme se ata që aktualisht janë në poste drejtuese kanë përgjegjësinë e parë dhe më të rëndë për të vepruar në interesat e vendit”.
Ambasada i bëri apel partive të paraqesin ide dhe kandidatë që përfaqësojnë votuesin:
“Nxisim partitë të paraqesin ide dhe kandidatë që pasqyrojnë respekt për votuesit”.
Gjithashtu, Ambasada i bëri thirrje edhe medias dhe shoqërisë civile “të luajë rolin e saj me përgjegjësi dhe etikë, duke bërë pyetje të vështira në emër të publikut dhe duke kërkuar përgjigje të vërteta nga kandidatët”.