Ambasadori gjerman, Peter Zingraf, u bëri thirrje partive politike “të luajnë sipas rregullave dhe të pengojnë çdo formë të manipulimit zgjedhor”.
Në një intervistë për Deutche Welle, Zingraf u shpreh se palëve gjithashtu duhet të shmangin gjuhën e urrejtjes dhe retorikën agresive të javës së fundit.
Nga ana tjetër, ai përgëzoi punën e KQZ dhe nënvizoi “punën e vështirë dhe profesionale të KQZ-së dhe Komisionerit Celibashi, të cilët kishin pak kohë për përgatitjen e zgjedhjeve.”
Ambasadori gjerman parashikoi se identifikimi elektronik dhe fleta e votimit mund mund të sjellin një zgjatje të procesit të numërimit:
“Formati i fletës së votimit me listat e hapura për herë të parë është gjithashtu i ri, prandaj mund të presim që procesi i numërimit të zgjasë më shumë se zakonisht,” tha ai.
Zingraf njoftoi se ditën e zgjedhjeve, përveç misioneve vëzhguese, në terren do të jenë edhe ambasadorët:
“Dhe unë personalisht si dhe kolege dhe kolegë të ambasadës, bashkë me një numër të madh të ambasadave të tjera, do të jemi ditën e votimit në lëvizje.”
Ambasadori gjerman pohoi se reformanë drejtësi ka qënë sukses dhe Shqipëria duhet të vazhdojë reformat.
“Është thelbësore që Shqipëria të vijojë procesin e saj të reformave me vendosmëri.”
Mesazhi i Zingraf për shqiptarët ishte të shkonin të votonin, pasi vetëm në atë mënyrë mund të ndikonin në demokraci.