Një dekadë më parë, kur shërbeja në Kirgistan, një nga bosët e krimit të organizuar kishte aq shumë guxim sa ai ngriti një çadër përballë hyrjes së parlementit dhe kërcënonte deputetët me dhunë nëse nuk plotësonin kërkesat e tij.
Në Gjeorgji, dy dekada më parë, grupi kriminal Mkhedrioni ishte aq i fuqishëm sa Presidenti Shevernaze vendosi që nuk mund t’i luftonte më dhe i shndërroi ata në Gardën Kombëtare të Gjeorgjisë, ku kryen vrasje të jashtëligjshme dhe vazhduan aktivitetin e tyre kriminal me autoritetin ligjor të armëve që mbanin, arrestonin qytetarë dhe mbanin uniformë.
Në Shqipëri, ata që akuzohen si trafikantë të mëdhenj droge dhe bosë të krimit të organizuar shumë rrallë ndeshen me akuza penale. Një shembull i njohur i kësaj dukurie është rasti i trafikantit të dënuar të drogës Emiljano Shullazi, i cili për shumë vite është akuzuar për vrasje, trafik droge, gjobëvënie, por është arrestuar vetëm së fundmi.
Shqipëria ka nivelin më të ulët në Evropë të ndjekjes penale të krimeve të rënda. Problemi është pandëshkueshmëria. Krerët e fuqishëm të krimit mund t‘ja hedhin pa pësuar gjë për vrasje për shkak të lidhjeve të tyre me njerëz me ndikim.
Në Shtetet e Bashkuara ne u ndeshëm me probleme të ngjashme. Gangsteri më i famshëm amerikan, Al Kapone, drejtonte një grup të krimit të organizuar në Çikagon e viteve 1920-të dhe 1930-të. Kur më në fund u arrestua, ai kishte vënë një pasuri me vlerë më shumë se 100 milionë doallrë me anë të prostitucionit, kumarit dhe kontrabandës. Të gjitha këto ai i arriti duke mbajtur nën kontrollin e organizatës së tij kriminale persona strategjikë në rradhët e policisë, gjykatave dhe pushtetit lokal.
Situata në Shqipëri është serioze, por unë besoj se reforma në drejtësi dhe procesi i dekriminalizimit do të ndihmojnë në zgjidhjen e problemit të pandëshkueshmërisë dhe të lidhjeve kriminale me politikën.
Popullit shqiptar i ka ardhur në majë të hundës nga kriminelët në politikë. Përpjekja e suksesshme për të larguar vrasësit, tutorët, trafikantët e drogës e përdhunuesit nga Kuvendi dhe qeverisja vendore do të kenë efekt jetëgjatë në uljen e pandëshkueshmërisë së krerëve të krimit të organizuar në Shqipëri.
Ky është gjithashtu një paralajmërim për kriminelët e tjerë — “Futja në politikë nuk i bën mirë biznesit. Do të nxjerrë në shesh aktivitetet tuaja kriminale dhe do t’ju çojë në burg”.
Reforma në drejtësi është e rëndësishme për pastrimin e sistemit nga gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar. Është gjithashtu e rëndësishme sepse do të krijojë një prokuror të pavarur dhe një njësi të posaçme hetimore, të quajtur Byroja Kombëtare e Hetimit ose BKH. Të dyja këto do të vënë në shënjestër korrupsionin në nivele të larta dhe krimin e organizuar.
Shtetet e Bashkuara kanë marrë angazhimin të mbështesin zhvillimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit përmes trajnimeve, ndihmës dhe bashkëpunimit me FBI-në amerikane. Në muajin prill, Kryeministri Rama vizitoi selinë e FBI-së dhe u takua me Drejtorin e FBI-së Comey për ta përforcuar këtë angazhim. Ky do të jetë një grup hetuesish seriozë dhe të aftë. Ata do t’i nënshtrohen në mënyrë të rregullt testit të poligrafit. Do të marrin trajnimin më të mirë dhe do të kenë pajisjet më të fundit. Një oficer i FBI-së në Uashington do të ngarkohet me detyrën që të sigurojë që ata të jenë efikasë në detyrë dhe të hetojnë pa anshmëri politike.
Është në interesin e Shteteve të Bashkuara që Shqipëria ta trajtojë me sukses problemin që ajo ka me krimin e organizuar. Kjo është, gjithashtu, në interesin e Bashkimit Evropian. Mbi të gjitha, kjo gjë është në interesin e populllit shqiptar. Jemi të përkushtuar ta mbështesim vendin në luftën e tij kundër krimit të organizuar dhe e dimë se Shqipëria do të jetë e suksesshme me ndihmën e partnerëve të saj.