“Ku po shkon Shqipëria dhe për ku po largohen rinia e saj? Pak ditë pas disa zgjedhjeve vendore të çuditshme, këto janë pyetjet që dua të ngre publikisht!”
Kështu deklaroi ambasadorja franceze Christina Vasak në një pritje organizuar më 14 korrik, në ditën e Festës Kombëtare të Francës, duke u bërë e para ambasadore që dënon zgjedhjet e 30 qershorit, në ndryshim nga qëndrimi i Ambasadës Amerikane dhe Delegacionit të Bashkimit Europian, të cilët në mënyrë indirekte kanë pranuar zgjedhjet.
Duke folur para presidentit Meta, ministrave e deputetëve të pranishëm, ambasadorja Vasak këmbënguli tek dëshira e të rinjve shqiptarë për tu larguar përgjithmone nga vendi:
“Pse largohet rinia nga Shqipëria apo çfarë e shtyn atë ta bëjë? Çfarë gjëje është më e natyrshme, siç e ka thënë me të drejtë Kryeministri, sesa zbulimi i pjesës tjetër të Evropës dhe botës, të studiosh, të punosh dhe të jetosh diku tjetër? Sigurisht, por pse shumë të rinj duan të largohen për gjithmonë?”
Franca është një prej shteteve më të prekura nga azilkërkuesit shqiptarë. Qeveria franceze ka shprehur vazhdimisht shqetësimin e saj për numrin e lartë të azilkërkuesve shqiptarë dhe problemet e shumta që ata shkaktojnë për popullsinë vendase. Në raportin e fundit të EUROSTAT, Shqipëria renditet vendi i shtatë në botë për nga numri i azilkërkuesve që aplikojnë për herë të parë në vendet anëtare të BE-së.
Sipas ambasadores, ky fenomen po zmadhohet gjithnjë e më tepër dhe për faktin se shqiptarët po humbasin besimin tek institucionet:
“Të ndërtosh një shtet ligjor të denjë për emrin [europian], në çdo aspect, pa pandëshkueshmëri as vetëkënaqësi ësahtë një gjë për të cilën shqiptarët janë dhe duhet të vazhdojnë të jenë në një mendje. Por a nuk po zbehet besimi tek institucionet?”
Ambasadorja vazhdoi më tej duke thënë se është detyra e drejtuesve dhe institucioneve për të drejtuar një shtet, dhe se diplomatët vetëm sa mund të ndihmojnë gjatë këtij procesi, por nuk mund të jetë ata vendim-marrësit:
“Diplomatët janë këtu për të kuptuar, mbështetur dhe shoqëruar, por në asnjë rast për të gjykuar ose zëvendësuar autoritetet kompetente. Kjo gjë duhej thënë.”