Ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim i ka thënë udhëheqësve të partive politike shqiptare se ata kanë përgjegjësi për reformën zgjedhore, SHBA-të thjesht do t’i mbështesin.
Ajo i kujtoi edhe njëherë zotimet e firmosura partivve politike (PD, LSI, PS dhe Rudina Hajdari) për reformën zgjedhore në 5 qershor 2020, në rezidencën e saj, në praninë e ambasadorit të BE-së, dhe atij britanik. Gjithashtu, ajo i bëri thirrje të bëjnë propozimet dhe kundra propozimet për reformën në mirëbesim.
Postimi i plotë i ambasadores:
Ne i kujtojmë Kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të Lulzim Basha dhe udhëheqësve të tjerë, të gjitha angazhimet që ata kanë bërë në lidhje me 6/5 dhe çdo masë përtej 6/5.
Angazhimi, propozimet dhe kundër-propozimet duhet të jenë me mirëbesim. SHBA-të gjithmonë do t’ju mbështesim, por JU udhëheqësit shqiptar – jeni partia përgjegjëse.
Mbledhja e fundit e Këshillit Politik, të martën (22 shtator) përfundoi pa dakordësi.
PS dorëzoi javën e kaluar propozimin për lista të mbyllura. Hajdari dorëzoi të dielën, një propozim për lista 100% të hapura. Ndërsa PD nuk dorëzoi një propozim për listat e hapura, dhe u shpreh se mbështet ligjin aktual për formulën e koalicioneve parazgjedhore.
Gjithashtu, PD dhe LSI kanë kërkuar mendimin e OSBE/Odihr nëse ndryshimet kushtetuese të miratuara nga Kuvendi më 30 korrik janë të ligjshme ose jo, 6 muaj para zgjedhjeve.
Pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit pa dakordësi, PS dorëzoi të mërkurën, në Kuvend draftin për ndryshimet e Kodit Zgjedhor në lidhje me listat e kandidatëve për deputetë.
Gjknuri, përfaqësuesi i PS në Këshill, më herët, njoftoi se nëse PD dhe LSI nuk sjell një propozim të ri, atëherë Këshilli Politik nuk ka asnjë arsye pse të funksionojë dhe propozimi i PS-së dhe Hajdarit mund të diskutohet në Kuvend, duke qënë se të dyja palët janë pjesë e Komisionit të Posaçëm Parlamentar.