Ambasadorja e SHBA, në Tiranë, Yuri Kim tha se nuk dihet ende numri i saktë i afganëve që do të strehohen në Shqipëri dhe se kur ata do të mbërrijnë.
“Kemi një situatë që ndryshon shumë shpejtë” tha Kim për mediat pas një takimi me ministren e Jashtme, Olta Xhaçka.
Ambasadorja nënvizoi se afganët që do të vijnë në Shqipëri do të qëndrojnë këtu përkohësisht për t’u zhvendosur më pas në SHBA. Ajo shtoi se disa mijëra janë nisur tashmë direkt drejt SHBA-së.
Ndër të tjera Kim përshëndeti vendimin e qeverisë për pranimin e strehimit të afganëve.
Ndërkohë në media raportohet se të martën në Shqipëri do të mbërrijë grupi i parë i afganëve, rreth 300, të cilët do të strehohen në disa hotele në Durrës dhe konvikte në Qytetin Studenti në Tiranë.