Ambasadorja e SHBA-ve Yuri Kim përshëndeti sot nisjen e punës së pesë ekspertëve që do të punojnë me poligrafë, ose siç njihen ndryshe ‘makinat e së vërtetës’.
Gjatë përurimit të kësaj njësie brenda Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave, ambasadorja Kim u shpreh:
“Ky është një moment i rëndësishëm në jetën e Shqipërisë. Kjo njësi do të kryejë kontrolle për kandidatët e Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Këta pesë ekpertë janë një armë për të luftuar korrupsionin.”
Zonja Kim theksoi dhe rëndësinë e vazhdimit të reformës në drejtësi si një hap shumë i rëndësishëm për Shqipërinë.
Në nëntor 2019, Zyra për Çështjet ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit në Departamentin Amerikan të Shtetit i dhuroi qeverisë shqiptare 5 pajisje poligrafi. Këto pajisje do të përdoren për të vlerësuar kandidatët për Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH), “për të ndihmuar në ruajtjen e standarteve më të larta të integritetit”.
Aktualisht gara për drejtuesin e BKH-së ka nisur dhe për këtë post janë kualifikuar 18 kandidatë. Në dy muajt në vazhdim, komisioni i përbërë nga drejtuesi dhe dy prokurorë të SPAK-ut do të intervistojnë dhe vlerësojnë secilën prej kandidaturave. Një prej mënyrave se si ata do të vlerësohen do të jetë dhe prova me poligrafin.
BKH sëbashku me Prokurorinë Speciale Antikorurpsion (SPAK) do të hetojnë në mënyrë specifike korrupsionin, krimet e organizuara dhe krimet e kryera nga zyrtarët e lartë qeveritarë, përfshirë Presidentin, Kryeministri dhe deputetët.
BKH është degë e veçantë e Policisë Gjyqësore e cila është e pavarur nga Ministria e Brendshme. Ajo do të drejtohet nga Prokurorisë së Posaçme (SPAK).