Ambasadorja Yuri Kim kritikoi paaftësinë e politikanëve shqiptarë për të arritur në kompromise pa ndërhyrjen e të huajve.
Ajo tha se marrërveshja zgjedhore e 5 qershorit duhet të ishte e fundit e arritur në ambjentet e një ambasade qoftë kjo dhe ajo Amerikane.
“Pse duhet që politikanët shqiptarë të mblidhen në një ambasadë të huaj, qoftë edhe ajo amerikane… Mendoj që si aleate në NATO dhe si vend aspirant për në BE, udhëheqësit shqiptarë duhet të mësohen të flasin me njëri-tjetrin dhe të bëjnë kompromise apo jo?”, tha ambasadorja Kim në një intervistë në A2 CNN.
“Siç po zbuloj, kompromis është një fjalë e pisët në Shqipëri, por në fakt është kyçe për demokracinë. Është përbërësi magjik që i duhet çdo demokracie. Nëse do 100% të asaj që do ti dhe i mohon tjetrit çdo plus të mundshëm, atëherë nuk është demokraci, është diçka tjetër. Duhet të jetë një proces ku merr dhe jep dhe do të thotë që ndonjëherë të duhet të kënaqesh me diçka që është mjaftueshëm e mirë dhe jo plotësisht e përsosur”, shtoi ambasadorja.