Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht reformën në drejtësi, u shpreh të premten ambasadorja e SHBA në Tiranë Yuri Kim, gjatë një aktiviteti ku ishin të ftuar anëtarë të Gjykatës së Lartë, Këshillit të Lartë Gjyqësor, kryetarë të Gjykatave, kancelarë të Gjykatave dhe anëtarë të Shkollës së Magjistraturës në Shqipëri.
Sipas Kim, reforma në drejtësi është një “mjet për të arritur një të ardhme më të drejtë, më demokratike dhe më të sigurt për shqiptarët”.
“Kjo është një shtyllë e rëndësishme për të realizuar të ardhmen e Shqipërisë në Europë, si anëtare e familjes së demokracive evropiane”, tha Kim.
Ambasadorja premtoi se SHBA do të vijojë të ndihmojë në procesin e vetingut, zvogëlimin e çështjeve të prapambetura të Gjykatës së Lartë, trajnimin e hetuesve të SPAK dhe në përmirësimin e transparencës dhe llogaridhënies në sektorin publik dhe privat.