
Ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë Yuri Kim i kërkoi autoriteteve të vendi të garantojnë rregulla dhe kushte të drejta dhe transparente për votuesin.
Në një postim në Twitter, të shtunën, Ambasadorja shkroi:
“Kujtesë: Është absolutisht e rëndësishme për autoritetet të sigurojnë që rregullat dhe kushtet e zgjedhjeve të jënë – në fakt dhe në perceptim – të drejta, të përpikta dhe transparente. Çdo gjë tjetër do të ishte në dëm të votuesit dhe një hap prapa për demokracinë”.
Reagimi i saj erdhi pas mbledhjes së sotme të KQZ-së. Në këtë mbledhje Komisoneri i Ankesave, KAS, në KQZ vendosi identifikimin e kandidatëve me numra në fletën e votimit dhe mosndryshimin e logos së partisë Bindja Demokratike.
Ky vendim nuk u pranua nga PD, e cila pak më parë u shpreh se do ta ankimojë vendimin e KAS në Kolegjin Zgjedhor.