SHBA-të duhet të tërheqin të gjitha akuzat kundër Julian Assange dhe autoritetet e Britanisë duhet të refuzojnë kërkesën e qeverisë amerikane për ekstradimin e tij. Këto janë kërkesat e Amnesty International përpara seancës dëgjimore të ekstradimit të Julian Assange, e cila rinis të hënën dhe pritet të zgjasë disa javë.
Autoritetet do të vendosin mbi kërkesën e administratës Trump për ekstradimin e Julian Assange në SHBA, ku ai do të përballet me një dënim deri në 175 vjet për publikimin e materialeve që dokumentojnë krime të mundshme të luftës të kryera nga ushtria amerikane.
“Kjo dëgjesë është shpëtimi i fundit ndaj së drejtës për lirinë e shprehjes. Nëse Julian Assange ndiqet penalisht, kjo mund të ketë një efekt tronditës mbi lirinë e medias, duke i çuar botuesit dhe gazetarët në vetëcensurë nga frika e hakmarrjes”, tha Drejtori i Amnesty International për Evropën, Nils Muižnieks.
“Nëse Julian Assange ekstradohet, kjo do të ketë ndërlikime për të drejtat e njeriut, duke vendosur një precedent tronditës për mbrojtjen e atyre që botojnë informacione të klasifikuara në interesin publik”.
Akuzat kundër Assange kanë të bëjnë me publikimin e dokumenteve të klasifikuar si pjesë e punës së tij gazetareske me platformën Wikileaks. Amnesty tha se botimi i një informacioni të tillë është një “gur themeli i lirisë së medias dhe e drejta e publikut për të hyrë në informacionin e interesit publik”.
Assange përballet me 18 akuza, 17 prej të cilave bien nën ligjin e Spiunazhit dhe të tjerët nën ligjin e Mashtrimit dhe Abuzimit Kompjuterot. Ai është botuesi i parë që përballet me akuza sipas ligjit të Spiunazhit në SHBA.
Gjatë qendrimti të tij në një burg britanik, janë ngritur shqetësime në lidhje me shëndetin e tij, gjendjen mendore dhe kushtet në të cilat ai po mbahet. Për më tepër, Amnesty tha se nëse ekstradohet, ai do të rrezikojë shkelje të mëtejshme të të drejtave të njeriut duke përfshirë tortura, izolim të zgjatur dhe forma të tjera të keqtrajtimit.
“Mbretëria e Bashkuar duhet t’i përmbahet detyrimeve të saj sipas ligjit ndërkombëtar për të drejtat e njeriut, të cilat ndalojnë transferimin e individëve në një vend tjetër ku atyre i kërcënohet jeta,” tha Nils Muižnieks.
Çështja do të fillojë në Old Bailey në Londër në 7 shtator.