Anëtarja e re e Gjykatës Kushtetuese Arta Vorpsi nis detyrën në shkelje të Kushtetutës

Nga Stafi i Exit
Anëtarja e re e Gjykatës Kushtetuese Arta Vorpsi nis detyrën në shkelje të Kushtetutës

Arta Vorpsi, anëtarja e re e Gjykatës Kushtetuese e zgjedhur në mënyrë të dyshimtë, fillon detyrën e saj me shkelje flagrante të Kushtetutës.

Ajo është betuar sot përpara një notereje duke u shprehur se do t’i qëndrojë besnike Kushtetutës.

Megjithatë Kushtetuta është mjaft e qartë për vendin se ku betohen anëtarët e rinj të GJK. Neni 129 i Kushtetutës parashikon:

 “Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese fillon detyrën pasi bën betimin para Presidentit të Republikës.”

Ky parashikim kushtetuese përforcohet edhe nga ligji Për Gjykatën Kushtetuese, i cili në nenin 8 të tij parashikon:

“Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese fillon detyrën pasi bën betimin para Presidentit të Republikës së Shqipërisë.”

Kështu zonja Vorpsi duhet të betohet përpara Presidentit Meta, në mënyrë që ajo të fillojë mandatin si anëtare e GJK-së. Çdo vend tjetër me justifikimin e respektimit të Kushtetutës e bën të pavlefshëm betimin dhe ajo nuk mund të vazhdojë detyrën e saj e për rrjedhojë të marrë vendime.

Kjo manovër antikushtetuese u paralajmërua nga kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja para disa ditësh. I ftuar në një emision ai deklaroi :

“Nëse dy anëtaret nuk do të thirren nga Presidenti për të bërë betimin, do duhet të shkojnë në Gjykatën Kushtetuese për të marrë detyrën. Mendoj që fillimi i mandatit lidhet me momentin e zgjedhjes nga Kuvendi për dy anëtarët, por fillimi i mandatit duhet të lidhet ekzaktësisht me momentin kur Kuvendi ka bërë zgjedhje. Betimi është element ceremonial, solemn, por nuk mundet të bllokojë funksionalitetin e një organi kushtetues.“

Siç ne e argumentuam më herët duket se socialistët janë të vendosur të vazhdojnë ta injorojnë Kushtetutën me qëllim që të ngrenë me shpejtësi Gjykatën Kushtetuese, me qasjen ‘qëllimi justifikon mjetin’.

Nuk ka asnjë dyshim se anashkalimi i Kushtetutës dhe ligjit, për të mundësuar ngritjen në mënyrë të shpejtë GJK, cenon thelbësisht legjitimitetin e gjykatës më të rëndësishme në vend.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>