Ansu Fati, adoleshenti që po bën Barcelonën të harrojë mungesën e Messit

Nga Erblin Vukaj
Ansu Fati, adoleshenti që po bën Barcelonën të harrojë mungesën e Messit

Barcelona ka 6 javë që luan pa Lionel Messin – shkak lëndimi – dhe gjasat janë që të jetë pa të edhe për disa javë të tjera. Sidoqoftë në mungesë të tij, katalanasit kanë gjetur një yll tjetër. Jo! Nuk është Antoine Griezmann… por adoleshenti afrikan Anssumane Fati.

Të shtunën Fati u bë lojtari më i ri në moshë që shënon gol dhe asist në të njëjtën ndeshje (Barcelona 5-2 Valencia). Mosha e tij? 16 vjeç e 318 ditë. Por ky nuk është rekordi i vetëm. Dy javë më parë ai u bë futbollisti më i ri në moshë që shënon gol për Barcelonën.

Adoleshenti ka shfaqur pjekuri duke luajtur pa emocione, gjë që i ka lejuar të tregojë edhe aftësitë si sulmues krahu.

Por cila është historia e këtij djaloshi, i cili po mahnit botën e futbollit dhe po bën Federatën Spanjolle ta kërkojë që të luajë për Spanjën.

Anssumane Fati u lind më 31 tetor 2002 në Guinenë-Bisau, një shtet i vogël mes Senegalit dhe Guinesë në perëndim të Afrikës. I ati, Bori ishte futbollist, ndërsa e ëma, Lurdes, shtëpiake.

Një vit pas lindjes së Anssumanes, i ati emigroi në Portugali. Vështirësitë për t’u angazhuar si futbollist bënë që ta ndërpriste karrierën dhe të shihte për alternative të tjera duke lëvizur gjetkë për në Marinaleda të Spanjës, atje ku kishte dëgjuar se kryebashkiaku Juan Manuel Sánchez Gordillo aplikonte politika pro-emigrantëve.

Pikërisht Gordillo do ta angazhonte Bori Fatin si shofer dhe pak vite më vonë do të ndihmonte që të sillte në Spanjë gjithë familjen.

Ansu nisi të luante futboll me skuadrën Herrera në Sevilla. Pak më vonë Sevilla e përfshiu në skuadrat zinxhire të saj, pasi kishte bërë të njëjtën gjë me vëllanë e tij të madh, Braima Fati.

Mirëpo Ansu shfaqte aftësi shumë më të larta, gjë që tërhoqi vëmendjen e vëzhguesve nga Reali Madridit dhe Barcelona.

AS/Ansu Fati 9-vjeç me fanellën e Realit të Madridit, klub i cili e kërkoi ta angazhonte.

Pas një viti ndërhyrjesh. Çështja u zgjidh kur Barcelona vendosi të merrte në radhët e saj, jo vetëm Ansun, por edhe të vëllanë Braima. Ansu ishte 9-vjeç.

Pas 7 vitesh në skuadrat zinxhire, më 24 korrik të këtij viti Barcelona i ofroi kontratë tre-vjeçare, klauzola për prishjen e së cilës u fiksua në 100 milionë euro edhe pse ai ishte vetëm 16 vjeç. Mediat kanë spekuluar se ai do të paguhet rreth 1 milionë euro në vit.

Më 25 gusht, pa u përfshirë as me rezervat, Ansu kreu debutimin me skuadrën e parë të Barcelonës. Rezultati? Dy rekorde radhazi. Më 31 gusht u bë golshënuesi më i ri në moshë në historinë e Barcelonës, ndërsa më 14 shtator, lojtari më i ri në historinë e kampionatit spanjoll që shënon dhe shërben asist në të njëjtën ndeshje.

Sigurisht ky është vetëm fillimi, por fakti se një 16-vjeçar si Ansu po luan në nivele të larta në një skuadër si Barcelona është tregues tejet domethënës për të ardhmen e tij.


Barcelona ka angazhuar edhe dy vëllezërit e Ansus, Braima Fati (21 vjeç) dhe Djucu Fati (7 vjeç). Braima është huazuar te Calahorra (skuadër e kategorisë së tretë spanjolle) ndërsa Djucu është në akademinë La Masia në një grup me Thiago Messin, djalin e Lionel Messit.

Në skuadrat zinxhire është pikasur prej ish-portierit Victor Valdes, i cili e konsideron Ansun “lojtar intelixhent, tejet teknik, me një të djathtë perfekte për të pasuar”.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>