
Gjykata e Apelit të Tiranës ka vendosur të pushojë përfundimisht çështjen ndaj biznesmenit Kastriot Ismailaj, i akuzuar për aferën ÇEZ-DIA, për mbledhjen e debive të abonentëve.
Më këtë vendim, gjykata ka pranuar kërkesën e prokurorit Saimur Hysi për të pushuar çështjen, pasi gjatë hetimeve nuk ka gjetur vepra penale të kryera nga ana e Ismailajt.
Kastriot Ismailaj akuzohej se me anë të skemave mashtruese përfitoi miliona euro nga marrëveshja e kompanisë së tij DIA me ÇEZ, për mbledhjen e borxheve të këtij të fundit.
Fillimisht ai u dënua nga gjykata e Tiranës me 11 vite burg për përvetësimin e rreth 5 milionë eurove përmes një skeme mashtrimi në mbledhjen e borxheve për ÇEZ-in. Por në vitin 2019, gjykata kërkoi që Ismailaj të hetohet edhe për 3 akuza të tjera si ‘mashtrim me pasoja të rënda të kryer në bashkëpunim’, ‘pastrim të produkteve të veprës penale’ dhe ‘korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike’.
Pavarësisht akuzave, prokuroria kërkoi në Apel pushimin e çështjes me pretendimin se nuk ka mundur të gjejë prova që vërtetonin akuzat ndaj Kastriot Ismailajt.