Kompania Apple ka hequr aplikacionin e rrjetit social Parler nga ‘dyqani virtual i aplikacioneve’, pas akuzave se Parler po përdoret për të nxitur dhunë para dhe pas trazirave të 6 janarit në Kapitol.
Parler është një rrjet social, i cili kohët e fundit dyshohet se është përdorur më shumë nga mbështetës të Donald Trumpit, konservatorë, teoricienë të konspiracionit dhe ekstremistë të krahut të djathtë.
Në një deklaratë zyrtare për media, Apple shkroi:
“Ne gjithmonë kemi mbështetur pikëpamje të ndryshme duke i përfaqësuar ato në App Store, por nuk ka vend në platformën tonë për kërcënime dhune dhe aktivitete të paligjshme.
Parler nuk ka marrë masa adekuate për të adresuar përhapjen e këtyre kërcënimeve për sigurinë e njerëzve. Ne kemi pezulluar Parler nga App Store derisa ata të zgjidhin këto çështje.”
Të premten, Apple i dha një ultimatum Parlerit, duke i kërkuar që ajo të hiqte përmbajtjet në kundërshtim me politikat e saj dhe të siguronte një plan se si do të moderonte përmbajtjen në vazhdimësi. Apple tha se aplikacioni Parler kishte 24 orë për të bërë ndryshimet ose përndryshe do të hiqej nga App Store.
Me sa duket, Parler propozoi disa ndryshime, por Apple vendosi se ato nuk ishin të mjaftueshme.
Në një deklaratë dërguar nga Apple drejt Parler thuhej se “proceset që Parler ka vendosur për të moderuar ose parandaluar përhapjen e përmbajtjes së rrezikshme dhe të paligjshme kanë rezultuar të pamjaftueshme”, dhe se Parler nuk do të kthehet në App Store derisa të ketë “demonstruar aftësinë tuaj për të moderuar dhe filtruar në mënyrë efektive përmbajtje e rrezikshme dhe e dëmshme në shërbimin tuaj.”