
Policia e Korçës arrestoi, të shtunën, dy të rinj të cilët po transportonin 13 emigrantë të paligjshëm drejt Tiranës.
Të arrestuarit, 25 dhe 30 vjeç, kishin marrë në dy makina 13 emigrantët, në shkëmbim të një shume parash.
Emigrantëve i ishte premtuar transporti drejt Tiranës dhe më pas drejt veriut, në një prej pikave kufitare. Destinacioni përfundimtar i tyre do të ishte një vend i Bashkimit Europian.
Hetimet për rastin po kryhen nga prokuroria e Korçës. Të arrestuarit akuzohen për ‘dhënie ndihme për kalimin e paligjshëm të kufirit’.
Prej disa kohësh, Shqipëria është kthyer në një vend tranzit për kalimin e emigrantëve të paligjshëm drejt BE-së.
Qindra emigrantë, çdo ditë, përpiqen të hyjnë ilegalisht në vend përmes kufirit me Greqinë ose Maqedoninë e Veriut, përpara se të vazhdojnë në Tiranë dhe më pas në Kosovë, Mal të Zi, Serbi dhe më pas në një shtet të BE si Hungaria.
Rreth 8343 emigrantë të paligjshëm janë kapur në Shqipëri vetëm në tetë muajt e parë të vitit 2020, sipas të dhënave nga Ministria e Brendshme.