
Dy ish-deputetët socialistë Arben Ndoka dhe Arben Çuko u arrestuan dje nga policia.
Ish-deputeti i Lezhës Ndoka u arrestua si pjesë e një ‘organizate kriminale’ që ka tjetërsuar pronësinë e mijëra metra katrore tokë në zonën e njohur si Rana e Hedhun në Shëngjin. Ndoka akuzohet për ‘falsifikim dokumentesh’, ‘falsifikim vulash, stampash ose formularës’ dhe ‘shpërdorim të tokës’.
Deri më tani, policia ka zbuluar se Ndoka ishte vënë nën përgjim që prejmarsit 2018, kur policia e Lezhës hetoi dhe arrestoi 12 persona, mes tyre dhe kryetarin e Bashkisë Lezhë, për të njëjtën akuzë ‘tjetërsim të pronave shtetërore’.
Të gjithë personat e arrestuar, bashkë me ish-deputetin Ndoka, akuzohen se kanë tjetërsuar me anë të falsifikimit dhe kanë përvetësuar më shumë se 200 mijë metra katrorë tonë në Shëngjin.
Kjo dosje po hetohet nga prokurori Vladimir Mara në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.
Arben Ndoka mori mandatin e deputetit në qarkun Lezhë në vitin 2014, pasi dy deputetë socialistë që kishin fituar në zgjedhjet e 2013-ës dhanë dorëheqjen. Në vitin 2015, Ndoka u tërhoq pasi nga ligji i dekriminalizimit u zbulua se ai ishte dënuar në Itali për trafik qenies njerëzore, por duke ndërhyrë në gjykatat shqiptare, ai mundi të ulë ndjeshëm dënimin e tij dhe të dalë nga burgu pas vetëm 3 viteve burgim.
Ndërkohë ish-deputeti Arben Çuko, që në vitin 2017 u emërua Drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve, u arrestua për ‘korrupsion pasiv’ gjatë kohës që ushtronte detyrën e Drejtorit të Burgjeve. Ai dyshohet se i merrte rryshfet të dënuarve për t’i dhënë leje.
Njësoj si Ndoka, edhe Çuko u zbulua nga përgjimet e policisë për një grup të përfshirë në trafik droge. Për një nga rastet, atë të transferimit të Olsi Karagjozit, i dënuar për vrasje, dyshohet se Çuko ka përfituar një makinë dhe para.
Arben Çuko u bë deputeti i PS-së në qarkun Fier në vitin 2009. Në vitin 2017 u emërua Drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve, por një muaj më parë, më 3 shtator, Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj e shkarkoi Çukon.
Deri më tani kryeministri Rama ka reguar vetëm për arrestimin e Çukos. Me anë të një postimi në Tëitter, Rama u shpreh:
“Keqardhje për A.Çukon po për ne s’ka dy qëndrime në raport me ligjin,ka vetëm një.”