Policia në Itali arrestoi të shtunën një nga figurat më të kërkuara të krimit të organizuar në vend, 70-vjeçaren Maria Licciardi, e njohur edhe si “Madrina” ose “Kumbara” e Camorra-s me qendër në Napoli.
Një njësi speciale kundër mafias e Karabinierëve arrestoi Licciardin në aeroportin Ciampino të Romës, ndërsa ajo po përpiqej të nisej për në Malaga, Spanjë, për të vizituar vajzën e saj.
Ministrja e Brendshme italiane, Luciana Lamorgese, vlerësoi arrestimin, duke thënë se ai tregonte “angazhimin dhe vendosmërinë” e policisë.
Kumbara Licciardi akuzohet për drejtimin e një organizate mafioze, zhvatje, pastrim parash me origjinë të paligjshme dhe prishje të ankandeve.
Thuhet se ajo kontrollonte aktivitetet e zhvatjes si udhëheqëse e klanit Licciardi i themeluar nga vëllai i saj Gennaro Licciardi.
Së bashku me familjet Mallardo dhe Contini, Licciardi formoi “aleancën Secondigliano”, e cila për vite dominoi zonën veriore dhe qendrore të Napolit, si dhe kodrat Vomero dhe Posillipo.
Media citoi prokurorët në Napoli të thoshin se Licciardi fitoi në fillim të këtij shekulli një betejë të gjatë të përgjakshme mes klaneve që e lanë qytetin të mbushur me njerëz të vdekur praktikisht çdo ditë.
Maria Licciardi, e njohur si “piccerella” ose “e vogla”, për shkak të shtatit të saj të vogël, u arrestua për herë të parë në 2001, por u lirua në 2009 pasi vuajti dënimin për vepra të lidhura me mafian.