900 ankesa për gjyqtarë dhe prokurorë janë regjistruar në ILD në 3 vitet e fundit. Kështu tha Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani në një komunikim për mediat. Metani tha se prioritet i institucionit do të jetë hetimi i vendimeve për lirime nga burgu përpara kohe i të “fortëve”.
“Prioritet për mua është fenomeni i lirimit para kohe nga burgu. Më shqetëson fakti që ka disa gjykata që ka ndodhur ky fenomen dhe do të bëhet inspektimi se ku po ndodh ai. Më pas do bëjë publike rastet kur do ndërhyhet dhe si do ndërhyhet”, iu përgjgij Metani pyetjes së gazetares Klodiana Lala.
Gjithashtu, Metani i bëri thirrje juristëve të aplikojnë për vendet vakante pranë ILD-së:
“27 vende vakante, 6 inspektorë jo magjistratë dhe 5 ndihmës inspektorë. I bëj thirrje gjithë juristëve që kanë dëshirë të kontribuojnë për institucionet e reja të drejtësisë të aplikojnë”.
ILD është institucioni i ri i drejtësisë, i cili do të verifikojë dhe hetojë ankesat, shkeljet disiplinore dhe do të nisë procedimin disiplinor ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve, anëtarëve të Këshillit të Lartë të Gjyqësorit, anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe të Prokurorit të Përgjithshëm.
Artur Metani u zgjodh më 20 janar në krye të Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë (ILD). Metani ishte renditur i pari në listën që Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) i kishte dërguar Kuvendit. Ai është vëllai i deputetes socialiste Eglantina Gjermeni – ish ministre dhe anëtare e Kryesisë së Partisë Socialiste. Exit News ka sqaruar më parë se emërimi i Artur Metanit në krye të ILD-së është tregues i politizimit të sistemit gjyqësor.