Australia ka ankimuar pranë Komisionit Europian, pas miratimit të kërkesës së Italisë, bllokimin e një dërgese prej 250,000 dozash të vaksinës AstraZeneca në këtë vend, raporton Reuters.
“Australia e ka ngritur çështjen me Komisionin Evropian përmes kanaleve të shumta, dhe posaçërisht ne i kemi kërkuar Komisionit Evropian të rishikojë këtë vendim,” u tha Ministri Australian i Shëndetësisë, Greg Hunt, gazetarëve në Melburn.
Hunt tha se Australia, e cila filloi programin e saj të inokulimit dy javë më parë, tashmë kishte marrë 300,000 doza të vaksinës së AstraZeneca, e cila do të zgjaste derisa të rritet prodhimi vendas i vaksinës. Ai shtoi që dozat e munguara nuk do të ndikonin në përhapjen e programit të vaksinimit në Australi.
Ishte hera e parë që mekanizmi për kontrollin e eksportit të vaksinave me jashtë aktivizohej.
Masa ishte reagim ndaj vonesave të kompanisë AstraZeneca në shpërndarjen e vaksinave në BE.
Kompania ka thënë se mund të furnizojë vetëm rreth 40 milion doza deri në fund të këtij muaji, krahasuar me 90 milion të parashikuara në kontratën e saj.
Një zyrtar tha se firma anglo-suedeze fillimisht i kishte kërkuar Romës që të transportonte edhe më shumë doza në Australi, por më pas e shkurtoi kërkesën e saj në 250,000 pas një refuzimi të parë nga Italia.
Ndërkohë, një zëdhënëse e Komisionit Evropian tha të premten se ekzekutivi i BE nuk kishte marrë asnjë kërkesë specifike nga ministri i shëndetësisë i Australisë për bllokimin e vaksinave.
BE ngriti mekanizmin për të monitoruar eksportet e vaksinave pasi prodhuesit e ilaçeve njoftuan vonesat në furnizimet e tyre për bllokun 27 vendesh. Tani po planifikon të zgjasë skemën deri në fund të qershorit pasi ajo skadon më 31 mars, thanë zyrtarë të BE për Reuters.
Teksa kërkonte ndërhyrjen e Komisionit Evropian, Kryeministri Australian Scott Morrison tha se i kuptonte arsyet e kundërshtimit të Italisë.
“Në Itali njerëzit po vdesin me shpejtësinë 300 në ditë. Dhe kështu që sigurisht që mund ta kuptoj nivelin e lartë të ankthit që do të ekzistonte në Itali dhe në shumë vende në të gjithë Evropën, ”u tha ai gazetarëve.
Kërkesa e Italisë erdhi vetëm disa ditë pasi Kryeministri Mario Draghi, i cili mori detyrën muajin e kaluar, iu tha udhëheqësve të tjerë të BE-së se duhet të përshpejtoheshin vaksinimet dhe të goditeshin kompanitë e farmacive që nuk siguronin furnizimet e premtuara.