Në prag të marrjes së presidencës së Këshillit të BE-së nga Austria, ministrja e Jashtme e Austrisë Karin Kneissl deklaroi se vendet e Ballkanit Perëndimor do të kenë vemëndje të veçantë.
Në një intervistë për gazetarin Adelheid Feilcke, publikuar nga Deutsche Welle, ministrja austriake gjithsesi thekson se nuk bëhet fjalë për data konkrete për hapjen negociatave, por mbështjetje për vazhdimin e reformave.
Pyetur për objektivat e Austrisë për presidencën e radhës të Këshillit të Be-së që nis në korrik, Zonja Kneissl deklaroi:
“Në pikëpamje të politikës së jashtme bëhet fjalë para së gjithash për afrimin e shteteve të Evropës Juglindore me Bashkimin Evropian. Ky rajon është i rëndësishëm për ne, atë e kanë lënë keq pas dore në njëzet vjetët e fundit.
Unë vetë e shmang përdorimin e termit “Ballkan Perëndimor”, ai është një term teknik i çuditshëm dhe për mua qytete si Sarajeva dhe Beogradi janë gjithashtu qytete evropiane.”
Pyetur nga gazetari se çfarë do të thotë “afrim” dhe cilat janë masat konkret që mund të merren, ministrja austriake u përgjigj:
“ […] ne vetëm mund t’i kujtojmë shtetet që duhet t’i vazhdojnë reformat e tyre. Ne këtu mund të shfrytëzojmë vetëm dinamikën. Shtetet vetë duhet të vënë në jetë një sërë reformash.
Ne mbështesim që ata, të cilët kanë sot pozicione vendimmarrëse, të zbatojnë reforma, në mënyrë që të kemi afrim me Bashkimin Evropian.”
Po ashtu Zonja Kneissl theksoi se vendet e Ballkanit kanë statuse të ndryshme për sa i përket negociatave me BE-në dhe se nuk mund të ndiqet e njëjta qasje ndaj të gjithë vendeve:
“Këtu kemi të bëjmë me shtete shumë të ndryshme me parakushte shumë të ndryshme përsa i përket numrit të popullsisë dhe nga pikëpamja administrative.
Nuk mund t’i hidhni në një kusi të gjitha këto shtete, po ata do të vazhdojnë në një proces pozitiv gare me njëri-tjetrin procesin e tyre të reformave.”
Austria e merr presidencën e Këshillit të BE-së në korrik, pas përfundimit të presidencës bullgare.