Autoritetet italiane kanë deklaruar se të dhënat e publikuara nga Radio-Televizioni Italian RAI3 se kultivimi i marijuanës në Shqipëri është 12-fishuar, nuk përkojnë me të dhënat zyrtare të shtetit italian.
Kryeministri Rama publikoi pjesë nga qëndrimi zyrtar i autoriteteve italiane ku shkruhet:
“[Ë]shtë sqaruar një kronikë e dhënë nga Tg3 në datën 27 janar 2020, ku flitej për një raport të rezervuar të policisë për rritjen e kultivimit të kanabisit në territorin shqiptar.
Autoritetet kanë specifikuar që lajmet e bëra publike nga stacioni televiziv TG 3 nuk korrespondojnë me të dhënat reale dhe nuk mund të hedhin hije për efikasitetin real të kontrastit në lidhje me kultivimin e kanabisit dhe rezultatet e rëndësishme të arritura gjatë viteve të fundit.”
Më 27 janar, RAI3 publikoi një reportazh të shkurtër për kultivimin e marijuanës në Shqipëri, të quajtur “Kufiri i Evropës”.
Në reportazh theksohet se sipas një raporti sekret të policisë italiane, të lexuar nga Rai3, kultivimi i marjuanës në Shqipëri është rritur me 1200 përqind, në krahasim me vitin e kaluar.
Reportazhi u bë nga gazetari italian Valerio Cataldi, i cili u kërcënua në Shqipëri sepse bëri emisionin mbi përfshirjen e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri në trafikun e drogës.
Menjëherë pas publikimit të reportazhit, Kryeministri Edi Rama sulmoi gazetarët italianë për këtë ‘turp gazetaresk’ dhe kërkoi reagim nga Guarda Di Finanza.
Dy ditë më pas, RAI3 i kushtoi një tjetër kronikë narkotrafikut në Shqipëri, përmes intervistimit të ish-oficerin e antidrogës Dritan Zaganin për çështjen Tahiri-Habilaj.