Qeveria italiane: Shifrat e RAI3 për marijuanën shqiptare të pavërteta

Qeveria italiane: Shifrat e RAI3 për marijuanën shqiptare të pavërteta

Autoritetet italiane kanë deklaruar se të dhënat e publikuara nga Radio-Televizioni  Italian RAI3 se kultivimi i marijuanës në Shqipëri është 12-fishuar, nuk përkojnë me të dhënat zyrtare të shtetit italian.

Kryeministri Rama publikoi pjesë nga qëndrimi zyrtar i autoriteteve italiane ku shkruhet:

“[Ë]shtë sqaruar një kronikë e dhënë nga Tg3 në datën 27 janar 2020, ku flitej për një raport të rezervuar të policisë për rritjen e kultivimit të kanabisit në territorin shqiptar.

Autoritetet kanë specifikuar që lajmet e bëra publike nga stacioni televiziv TG 3 nuk korrespondojnë me të dhënat reale dhe nuk mund të hedhin hije për efikasitetin real të kontrastit në lidhje me kultivimin e kanabisit dhe rezultatet e rëndësishme të arritura gjatë viteve të fundit.”

Më 27 janar, RAI3 publikoi një reportazh të shkurtër për kultivimin e marijuanës në Shqipëri, të quajtur “Kufiri i Evropës”.

Në reportazh theksohet se sipas një raporti sekret të policisë italiane, të lexuar nga Rai3, kultivimi i marjuanës në Shqipëri është rritur me 1200 përqind, në krahasim me vitin e kaluar.

Reportazhi u bë nga gazetari italian Valerio Cataldi, i cili u kërcënua në Shqipëri sepse bëri emisionin mbi përfshirjen e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri në trafikun e drogës.

Menjëherë pas publikimit të reportazhit, Kryeministri Edi Rama sulmoi gazetarët italianë për këtë ‘turp gazetaresk’ dhe  kërkoi reagim nga Guarda Di Finanza.

Dy ditë më pas, RAI3 i kushtoi një tjetër kronikë narkotrafikut në Shqipëri, përmes intervistimit të ish-oficerin e antidrogës Dritan Zaganin për çështjen Tahiri-Habilaj.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>