Avokati i Popullit ka nisur hetimet për dhunimin e një të riu rom nga policia bashkiake, pamjet filmike të së cilës u bënë virale ditët e fundit.
Nga video duken se dy punonjësve të Policisë Bashkiake Tiranë u ikën nga makina një i ri rom dhe pasi ai del nga automjeti, ata e përplasin me forcë atë në trotuar.
Nga pamjet kuptohet se i riu duhet të ketë qenë duke mbledhur kanaçe pranë koshave të mbeturinave urbane, sepse aty pranë përveç tre koshave për grumbullimin e mbeturinave, ndodhet edhe një karrocë e mbushur me mbetje të riciklueshme.
Pas pak çastesh pranë makinës së Policisë Bashkiake, ndalon një makinë tjetër jo e Policisë Bashkiake, nga e cila zbret një person civil dhe afrohet tek vendi ku policët mbajnë me forcë personin në fjalë. Nuk dihet se cili është ky person dhe se çfarë roli kishte ai në këtë ngjarje.
Avokati i popullit I ka dërguar Policisë Bashkiake një sërë pyetjesh lidhur me ngjarjen, ku ndër të tjera kërkon dhe identifikimin e policëve që ushtruan dhunë ndaj të riut.