Presidenti i zgjedhur i SHBA, Xho Bajden, është vaksinuar kundër COVID-19 me vaksinën e kompanisë Pfizer/BioNTech.
Pas vaksinimit që u transmetua drejtpërdrejt në media, ai u bëri thirrje amerikanëve që të marrin vaksinën “kur të jetë në dispozicion”.
Tre ditë më parë zëvendëspresidenti amerikan në ikje, Majk Pens, mori dozën e parë të vaksinës kundër Covid-19 publikisht.
Transmetimi i vaksinimit të tyre është një përpjekje për të rritur besimin në sigurinë e vaksinës.
Vaksina e Pfizer/BioNTech ka marrë miratimin në Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Evropian, Zvicër dhe disa vende të tjera.
Në vendet e BE-së, vaksinimi pritet të nisë brenda një jave.
Shtetet e Bashkuara kanë miratuar gjithashtu edhe vaksinën e kompanisë Moderna.
Të dyja vaksinat duhet të jepen në dy doza, me një diferencë kohore prej tri javësh.