Banka Evropiane e Investimeve nuk do të mbështesë më projekte në sektorin e naftës

Nga Gerard Gega
Banka Evropiane e Investimeve nuk do të mbështesë më projekte në sektorin e naftës

Duke filluar nga viti 2021, Banka Evropiane e Investimeve nuk do të mbështesë më projekte në sektorin e karburanteve fosile, thënë ndryshe në nxjerrjen, prodhimin dhe përpunimin e naftës.

Ideja pritet të diskutohet në mbledhjen e ardhshme të bordit drejtues të BEI në shtator.

Nëse gjithçka merr dritën jeshile atëherë projektet e energjisë së rinovueshme në Evropë do të marrin gjithë mbështetjen e nevojshme, kjo si një politikë mbështetëse e marrëveshjes së Parisit për ndryshimet e klimës.

BEI ka njoftuar synimin për t’i ndryshuar politikat e saj mbështetëse për energjinë në një draft të publikuar së fundmi.

Në draft BEI thotë se do të largohet nga sektori i nxjerrjes dhe përpunimit të naftës duke u fokusuar në katër fusha të tjera të energjisë si: efikasiteti, furnizimi me energji të pastër (jo-karbonike), mbështetja e burimeve dhe teknologjive inovative si dhe sigurimi i sistemeve të shpërndarjes.

Në draftin e publikuar nga BIE thuhet:

“Përqendrimi i investimeve në plan afatgjatë paraqet një sfidë ambicioze për Bankën. Ajo do të heqë dorë nga mbështetja për projektet e energjisë, të cilat mbështeten në karburantet fosile: prodhimin e naftës dhe gazit, infrastrukturës së dedikuar kryesisht për gazin natyror, prodhimin e energjisë ose nxehtësisë bazuar në lëndët djegëse fosile”.

Projektet e reja që do të mbështeten do të fillojnë pas fundit të vitit 2020.

Për t’u ardhur në ndihmë vendeve dhe rajoneve që përballen me një tranzicion më të vështirë për sa i përket energjisë, BEI po mendon krijimin e një pakete të veçantë mbështetëse.

Pas Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, e cila nga viti 2020 nuk do të financojë më hidrocentrale në zonat e mbrojtura, duket se edhe BIE po shkon në të njëjtën rrugë, mbështetjes së energjisë së gjelbër dhe pa dëmtuar natyrën.

Për sa i përket Shqipërisë, që konsiderohet me mjaft potencial për prodhimin e energjisë nga dielli dhe era, qeveria e ka miratuar marrëveshjen e Parisit për klimën, por nuk ka nisur ta zbatojë atë.

progres-raportin e fundit, Komisioni Evropian e kritikoi qeverinë se nuk kishte hartuar ende një strategji kombëtare dhe një legjislacion të veçantë për ndryshimet klimaterike në përputhje me detyrimet që vijnë nga Komuniteti i Energjisë.

Prodhimi i energjisë në Shqipëri vjen mbi 95% nga shfrytëzimi i lumenjve, ndërsa vitet e fundit i janë hapur dyert projekteve të kërkimit të burimeve të reja të naftës, siç është projekti i SHELL në Berat.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>