Banorët e Astirit sërish në protestë para Bashkisë Tiranë

Banorët e Astirit sërish në protestë para Bashkisë Tiranë

Sot banorët e Astirit kanë protestuar sërish para Bashkisë së Tiranës. Qytetarët i bënë thirrje kreut të Bashkisë  Veliaj të tërhiqet nga vendimi për tu prishur banesat e tyre, për t’i hapur rrugë projektit të Unazës së Madhe.

Ata kërkuan dëmshpërblim të plotë për shtëpitë që do prishen, të legalizuara apo jo, ndaj kërkuan takim me kryebashkiakun Veliaj, i cili dy ditë më parë i ofendoi banorët duke i quajtur “shpellarë” dhe tha se nuk ka asnjë shans që projekti të ndalet.

“Ne jemi ata që kryetari i Bashkisë quajti shpellarë. Nuk e di kur është bërë tirans kryebashkiaku, por ne kemi dokumenta të rregullta. Kam certifikatë pronësie, kam leje legalizimi, kam hipotekë, paguaj taksat. Pse jam shpellar mo zoti kryetar?!” u shpreh një prej protestuesve.

Ndërkohë brenda godinës së Bashkisë po zhvillohej mbledhja e radhës e Këshillit Bashkiak, ku zoti Veliaj nuk mori pjesë.

Edhe dy ditë më parë, banorët protestuan para bashkisë dhe kërkuan takim me kryebashkiakun, por ky i fundit refuzoi të takohet me ta.

Gjatë përplasjes me policinë, e cila kërkoi largimin e banorëve pasi nuk kanë leje për të protestuar, banorët u shprehën se kanë kërkuar leje në institucionet përkatëse por leja i është refuzuar.

Pavarësisht kësaj banorët u shprehën të vendosur për të vazhduar protestën, ku e radhës do të jetë nesër në orën 17:00, e nëse do të jetë e nevojshme, paralajmëruan dhe përshkallëzim të saj.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>