Disa banorë në fshatrat Sang dhe Thirrë të Mirditë kanë protestuar të premten kundër ndërtimit të një hidrocentrali.
Ata e cilësuan ndërtimin e tij si “rrezik për jetën”.
Një protestuese u shpreh: “Unë jam ma e vjetra këtu. Ne me këtë ujë e me këtë mal ke jetu, se ne nuk jemi vlerësuar. Kemi ndenjur prej malit. Tash me na marrë dhe ujin. Atëherë të na marrin ne shpirtin! Jam 87 vjeçe”.
Banorët janë ngritur në protestë pas nisjes së punimeve për ndërtimin e hidrocentralit në zonën e Mirditës.
Ata sqarojnë se kompania “Sang1”, ka falsifikuar firmat në dokumentet ligjore për të siguruar lejen e ndërtimit të hidrocentralit në Thirrë-Sang, dhe fabrikës së ujit të pishëm në Krazhna.
“Ne marrim ujë 3 km e 200 m nga përroi i Qarrit deri në Sang dhe nga ’90 e deri sot ne kemi gjysmën e tokës pa vaditje pasi nuk kemi ujë. Po na morën dhe ujin ne do ngelemi pa asgjë” tha një banor.
Ata deklaruan se kanë depozituar padi në prokurori për falsifikimin e firmave si dhe ankesë në bashkinë e Mirditës.