Banorë të Shkozës po përplasen me policinë dhe punonjësit e Inspektoriatit Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT), pasi këta të fundit kërkojnë t’i shembin shtëpitë për t’i hapur rrugë projektit të Unazës Lindore, loti 3.
Banorët janë përplasur me IKMT-në dhe kanë bllokuar fadromat. Ata kanë kërkuar dokumentet dhe shkresat zyrtare ku citohen ligjet ku mbështetet shembja e banesave të tyre.
Sipas, IKMT-së, projekti parashikon shembjen e 16 ndërtesave dhe përfaqësues të IKMT-së u shprehën se banorët janë lajmëruar që më datë 26 nëntor.
Kjo është përplasja e dytë që ndodh në Shkozë mes banorëve dhe Inspektoriatit Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit.
Në shtator 2017, IKMT prishi 153 ndërtesa për t’i hapur rrugë projektit për zgjerimin e rrugës.
Mes ndërtesave, kishte ndërtesa me leje të rregullta, banesa në proces legalizimi dhe ndërtesa të para viteve 90’.
Projekti për zgjerimin e rrugës dhe sistemin e shtratit të lumit Lana u ndryshua në mënyrë të papritur dhe projekti i ri kërkonte prishjen e rreth 150 shtëpive private ku banonin rreth 250-300 familje.
Banorët u njoftuan në datën 14 shtator nga inspektorë të policisë ndërtimore për të bërë lirimin e menjëhershëm të shtëpive, duke ju premtuar dëmshpërblim në të ardhmen për shpronësimin, si dhe pagesën e qirasë së banesave të përkohshme nga Bashkia Tiranë, deri sa ata të mund të gjejnë strehim të tyrin.
Më 19 shtator IMKT filloi prishjen e ndërtesave duke nxjerrë me forcë banorët nga shtëpitë e tyre.
Siç e kemi shpjeguar dhe më parë, prishja e shtëpivë në Shkozë përbënte shkelje të një sërë të drejtash të banorëve dhe ligjeve.