Banorët e Vorës, shtëpitë e të cilëve preken nga plani i Rindërtimit për tërmetin e 26 nëntorit, kërkojnë takim me kryetarin e komanduar të Bashkisë së Vorës, Hekuran Brahimaj.
Një ditë më parë, banorët u përplasën me zyrtarët e bashkisë Vorë në një dëgjesë publike për planin e rindërtimit pasi bashkia nuk i ka informuar ato nëse do të kompensohen apo jo.
Banorët pretendojnë se bashkia do të prishë edhe shtëpi e biznese të pandëmtuara për t’i hapur rrugë planit të saj të rindërtimit. Banorët nuk kanë marrë asnjë siguri nga bashkia për kompensim, qoftë në vlerë monetare, qoftë me apartamente.
Bashkia kërkon të prishë 3 pallate dhe 60 shtëpi private, me të cilave ka dhe shumë ndërtesa të padëmtuara. Banorët pretendojnë se pas planit, fshihen dhe interesa të tjera.
Një prej tyre u shpreh:
“Unë sipas dokumenteve jam i pa dëmtuar, DS1 kam 6 punëtor të siguruar, kam lokal, nuk jam i dëmtuar fare. Tani do për të më shembur. Ai thotë unë do të shemb, as kompensim asgjë.
Na dhanë një letër boshe, as vulë as asgjë. U them më jep një fotokopje, nuk na jep. Unë e kam shtëpinë në zonën 1, do më japin shtëpi si kohën e Enver Hoxhës, kush e di se ku.”