Sekretari i Përgjitshëm i PD-së, Gazment Bardhi deklaroi se opozita i qëndron hapjes 100 përqind të listave, por rregullat e lojës nuk mund të ndryshojnë 8 muaj para zgjedhjeve.
Në një komunikim për mediat, Bardhi pohoi se opozita nuk mund të marrë pjesë më rregullat që vendos kryeministri Rama.
Nga ana tjetër, Bardhi pohoi se “për listat 100 përqind jemi plotësisht dakord, për cdo çështje tjetër nuk jemi të hapur sepse çështjet që shtron Rama prekin marrëveshjen e 5 qershorit, produkt 6 mujor pune i Këshillit Politik dhe s’mund t’i kthehemi më cështjeve që i konsiderojmë të mbyllura.”
Në lidhje me ndryshimet kushtetuese, Bardhi tha se ato duhet t’i nënshtrohen referendumit.
“Ndryshimet kushtetuese do të duhet të kalojnë përmes referendumit, dhe ne i qëndrojmë apo jemi koherent në këtë qëndrim. Sa kohë është parashtruar një cështje po mbajmë një qëndrim të qartë. Po, jemi për hapjen 100 % të listave dhe këtë qëndrim e kemi ofruar si formulë kompromisi.”