Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi vizitoi sot Elbasanin, ku sipas tij qytetarët janë braktisur ndërsa njerëzit e pushtetit janë në simbiozë me grupet kriminale.
Bardhi u emërua dy ditë më parë drejtues politik i qarkut të Elbasanit në zgjedhjet e 25 prillit, një detyrë që ai e ka cilësuar nder të madh, përgjegjësi dhe sfidë.
Nëpërmjet një shënimi në Facebook, Bardhi akuzon Partinë Socialiste se e ka kthyer për 8 vite Elbasanin “vite në provincën ku sundon një bandë”.
“Njerëzit me pushtet kanë përfituar gjithçka në këto dy mandate. Para, influencë, territor, dhe kanë sunduar me forcë mbi pjesën tjetër. Përfytyroni se si një njeri i vetëm vendos për gjithçka, për punësimin, për tenderat, për shpërndarjen e favoreve, per ndihmen ekonomike, të gjitha këto sipas interesave personale. A mundet që një qark i tërë me rreth 450 mijë banorë të punojë për një grusht njerëzish. Përpos se padrejtësi, është edhe fyerje.”
Ai premton se me Partinë Demokratike në pushtet, Elbasani do të dalë nga varfëria e do të gëzojë potencialin që e ka.
“Projektet e zhvillimit do të zëvendësojnë pazaret. Merita do të sjellë në krye më të mirët, më të zotët. Sundimi do të zevendësohet me llogaridhënien ndaj qytetarëve. Këtu në zemër të Shqipërisë, “rilindja”, do të marrë një goditje të fortë.”