Kreu i PD-së Lulzim Basha akuzoi kryeministrin Rama se nuk ka marrë asnjë masë për të menaxhuar pandeminë e Covid-19, që pritet të përkeqësohet me ardhjen e dimrit.
Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, Basha tha se Rama kërkon të largojë përgjegjësinë që ka vetëm me urdhërin për mbajtjen e maskave:
“Me urdhëra për të vënë maska dhe larë duart, duan të lajnë duart nesër kur infeksioni të shkaktojë më shumë viktima.”
Ai theksoi se përgjegjësia e qeverisë është që të ndihmojnë njerëzit pa ardhur më e keqja dhe jo të thotë ‘ju thamë të mbani maskën’.
Basha i bëri thirrje Ramës të nisë sa më parë zbatimin e planit të tij me pesë pika që përfshin ndërhyrje në shëndetësi e ekonomi, ku disa prej masave më emergjente janë:
-Të rrisë numrin e testimeve në të paktën 2500 testime në ditë;
-Të rimbursojë plotësisht marrjen e mjekimit ambulator kundër Covid-19;
-Të japë bonuse 1000 Euro për çdo mjek dhe 500 euro për çdo infermier për 6 muajt e ardhshëm;
-Të testojë periodikisht mësuesit në të gjitha shkollat;
-Të japë një çek me 1000 Eurosh për biznesin e vogël;
-Të japë 2000 lekë në muaj për pensionistët për përballimin e kostove shtesë të pandemisë.