Basha akuzon Ramën: Dështove me menaxhimin e pandemisë, duhet urgjent një plan për rimëkëmbjen

Nga Exit News
Basha akuzon Ramën: Dështove me menaxhimin e pandemisë, duhet urgjent një plan për rimëkëmbjen

Kreu i PD-së Lulzim Basha akuzoi, të premten, qeverinë Rama se ka dështuar në menaxhimin e krizes së Covid-19 dhe asaj ekonomike.

Përmes një postimi në Facebook, Basha shprehet se Rama ‘nuk ka asnjë plan për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve dhe ekonomisë, asnjë strategji për pandeminë, asgjë përveç propagandës dhe heshtjes apo sulmeve trashanike ndaj çdokujt, që kërkon transparencë dhe veprim.’

Ai akuzoi qeverinë për mungesën e transparencës, ndaj të gjithë qytetarve, por veçanërisht ndaj atyre të cilët kanë të afërm të infektuar me covid-19, të shtruar në spital:

“Si në asnjë vend tjetër nuk ka asnjë transparencë për kushtet apo mënyrën e trajtimit të qytetarëve, që kurohen në Spitalin Infektiv apo te “Shefqet Ndroqi”. Situata është katastrofike në rrethe, ku të infektuarit e kanë të pamundur të marrin trajtim shëndetësor dhe ju duhet të blejnë vetë edhe aparaturat për oksigjenoterapi.”

Shqetësimi tjetër që Basha ngriti ishte mungesa e mjeteve mbrojtëse dhe pajisjeve për mjekët të cilët prej muajsh po sakrifikojnë dhe vënë në rrezik jetën e tyre për t’i shërbyer pacientëve.

Po ashtu, Basha akuzoi Ramën se ‘për të mos prekur paratë që shkojnë për tenderat dhe koncesionet korruptive, nuk u morën masa për pajisjen e strukturave spitalore me aparaturat e nevojshme.’

Ndërsa për krizën ekonomike shkaktuar nga pandemia, Basha tha se qeveria ka braktisur bizneset, mijëra prej të cilëve janë mbyllur ose janë në prag falimentimi.

Ai i bëri thirrje qeverisë që të hartojë sa më parë një plan të detajuar për përballimin e situatës së pandemisë, ndihmë reale për gjithë familjet në nevojë, për të përballuar krizën ekonomike, si edhe një rrugëzgjidhje për arsimin, në kushtet kur prindërit dhe nxënësit kërkojnë qartësi së çfarë do të bëhet në shtator me shkollat.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>