Kreu i PD-së Lulzim Basha i ka premtuar ambasadorëve të SHBA-ve, BE-së dhe Britanisë së Madhe se opozita do të vazhdojë dialogun me shumicës socialiste për ndryshimet kushtetuese.
Në njoftimin zyrtar të PD-së pas takimit mes Bashës dhe ambasadorëve, shkruhet se opozita e bashkuar gjithsesi kundërshton ndryshimin e njëanshëm të kushtetutës nga kryeministri Rama:
‘Opozita e Bashkuar bëri të qartë se ndryshimi i njëanshëm i Kushtetutës ndryshon elementët bazë të sistemit zgjedhor, minon marrëveshjen e 5 qershorit, është në kundërshtim me Rekomandimet e OSBE-ODIHR dhe Komisionit të Venecias, si dhe zhbën ligjin e miratuar më 23 korrik nga Kuvendi.’
Vlen të theksohet se e vetmja pikë ku PD-LSI dhe PS ende nuk kanë rënë dakord në Këshillin Politik është heqja e koalicioneve parazgjedhore dhe përqindja e listës së kandidatëve për deputetë që do të jetë e hapur.
PS kërkon heqjen e koalicioneve parazgjedhore dhe hapjen e pjesshme të listave, ndërsa PD e LSI kërkojnë hapjen 100 për qind të listave dhe ruajtjen e koalicioneve parazgjedhore në formën që janë aktualisht: ku partitë formojnë koalicione parazgjedhore, por paraqesin secili listën e vet të kandidatëve.