Kreu i PD-së Lulzim Basha deklaroi se në Kosovë ai ka punuar gjithnjë në pozicione administrive dhe asnjëherë role hetimore, e aq më tepër kundër UÇK-së.
I ftuar në emisionin Opinion, Basha deklaroi se ka punuar në Mitrovicë, Gjilan dhe Prishtinë:
“Në Mitrovicë [kam qenë] legal oficer, por fillimet kanë qenë si përkthyes, por rekrutimi ka qenë si legal oficer.
Së dyti në Prishtinë për afro një vit e pak si përgjegjës për zonën amerikane të administrimit të Kosovës.
Në zonën e Gjilanit për ngritjen dhe këqyrjen e komponentit të drejtësisë kosovare, pra rol administrativ dhe jo hetimor.”
Më pas Basha tha se ka punuar dhe si asistent i veçantë i drejtorit të departamentit të drejtësisë që ishte de facto ministri i drejtësisë së Kosovës ‘që konsistonte në punën e transferimit të punës nga UNMIK-u dhe ngritjen e ministrisë së Kosovës.’
“Pas kësaj detyrat e mija në Kosovë kanë mbaruar dhe i jam bashkuar Partisë Demokratike”, u shpreh Basha.
“Është e qartë si drita e diellit për këdo që e njeh sadopak UNMIKUN që Lulzim Basha kurrë edhe po të dëshironte, nuk mund të kishte akses në asnjë faqe të vetme te asnjë hetimi të vetëm, ndaj çdo shqiptari, ndaj çdo luftëtari apo ndaj ushtrisë çlirimtare te Kosovës,” mbylli deklaratën Basha.