Kryetari i PD-së Lulzim Basha akuzoi qeverinë Rama se nuk ka marrë asnjë masë reale për të parandaluar krizën e thellë ekonomike që e pret vendin si shkak i pandemisë së Covid-19.
Në një bashkëbisedim me gazetarët, Basha tha se:
“Pandemia ekonomike po i zë vendin pandemisë së Covid-19. Pavarësisht se këto 2 muaj ishin të gjatë, edhe para pandemisë shqiptarët ishin të varfër por sjellja e Ramës po i bën edhe me të varfër dhe po e çon vendin në krizë më të thellë ekonomike.”
Basha akuzoi kryeministrin se edhe në këto muaj të vështirë për ekonominë, “nuk ka hequr dorë nga vendosja e interesave të një grushti oligarkësh mbi interesat e 3 milionë shqiptarëve.”
Duke marrë shembuj të bizneseve të ndryshme në vështirësi për të paguar faturat e muajit, Basha tha se qeveria nuk ka asnjë plan konkret për rimëkëmbjen:
“Ndihma ekonomike ka munguar për 95 përqind e atyre që kanë nevojë. Bizneset po shkojnë drejt falimentimit.
Një biznes bar kafe, me një person të vetëpunësuar ka kosto totale 97 mijë lekë, por merr mbështetje nga qeveria vetëm 25 mijë lekë, pjesa tjetër do të paguhet nga ata vetë.
Pas 31 majit çfarë do të ndodhë me bizneset që nuk hapet dot, ose me të papunët?! Qeveria nuk ka snjë plan për të kaluar krizën.”
Pyetur nga gazetarët për strategjinë e PD-së ndaj krizës, Basha u shpreh:
“Një qeveri që është e pakicës dhe kundër qytetarëve nuk mund të jetë zgjidhja.
Ky është një regjim në grahmat e fundit, dhe në valixhet që po bëjnë gati te marrin, dhe kjo është qeveria kap ca të kapësh para se të ikë. Dëmi është i pariparueshëm nëse nuk ndalim, aventurizmin dhe kalim e pasurisë tek një grusht oligarkësh.”
Duke komentuar për vendimin e qeverisë për kalimin e truallit të Teatrit Kombëtar tek Bashkia Tiranë, Basha e quajti atë ‘grabitje brenda natës’ të pronës publike.
Pyetur nëse opozita do të organizojë protesta, kreu i PD-së tha se “PD ka bërë, bën dhe do të bëjë protesta gjatë gjithë kohës, ndaj mos u surprizoni se do jemi në krahë të njerëzve, do t’i thërrasim edhe në protestë.”