Kryetari i PD-së, Lulzim Basha kujtoi të dielën ditën Ditën Europiane të Kujtimit të Viktimave të Nazizmit dhe Stalinizmit.
Në një postim në Facebook, Basha theksoi se kjo ditë është paralajmërim për të gjithë ata që keqpërdorin vullnetin e popullit në përpjekje për të rivendosur autoritarizmin.
Ai shtoi se vuajtjet e mijërave viktima nga regjimi komunist janë udhërrefyesi më i mirë për të vulosur vlerat europiane.
“23 gushti është dita e kujtesës për viktimat e sistemeve totalitare por dhe paralajmërim për të gjithë ata që keqpërdorin vullnetin e popullit në përpjekje për të rivendosur autoritarizmin. Kujtesa dhe respekti për mijëra viktimat e sistemit më të egër komunist në Europë duhet dhe do të jetë pjesë e rëndësishme e historisë moderne të Shqipërisë. Vuajtjet dhe mohimi i të drejtave themelore të shqiptarëve gjatë diktaturës, sakrificat e mijëra familjeve shqiptare në komunizëm, janë udhërrëfyesi më i mirë për të vulosur pas 30 vitesh tranzicion, sistemin e vlerave të demokracisë europiane.”
Basha tha se PD “ është në krah të të mbijetuarve dhe familjarëve të viktimave të diktaturës, në krah të rinisë, intelektualëve dhe shtresës së mesme, sipërmarrjes dhe fermerëve shqiptarë, e vendosur për ta shkatërruar projektin e rikthimit të shqiptarëve në një skllavëri kolektive në shërbim të një pakice.”