Kreu i PD-së Lulzim Basha akuzoi kryeministrin Rama se ka lënë të vetëm biznesin në përballimin e të gjithë efekteve negative të pandemisë.
Duke biseduar të hënën me një sipërmarrëse, e cila tregton produkte bazë të konsumit në Tiranë, Basha u njoh me problemet me të cilat po hasen biznesi, si rënien e ndjeshme e xhiros dhe rritja e papunësisë.
“Xhiroja ka rënë shumë, për shkak të pandemisë, njerëzit janë tërhequr shumë edhe në zgjedhjen e produkteve. Pandemia i ka trembur shumë dhe i ka zënë shumë paniku. Xhiroja afërsisht bëhej 500 në turn. Ne 500 e bëjmë gjithsej xhiro totale. Ka rënë domethënë shumë”, – shprehet menaxherja, Rolanda Cani.
Sipas saj, kjo rënie në xhiro ka ndikuar dhe në rritjen e papunësisë.
“Tani kemi reduktuar edhe stafin. Stafi ka qenë nga 5 punonjës dhe menaxherja 6. Unë jam menaxherja e dyqanit, dhe tani unë kam 3 veta staf, dhe vetë mundohem që të futem edhe tek shitjet, edhe tek pjesa e menaxhimit,” u shpreh ajo.
Basha theksoi se sipërmarrja po vuan kaq shumë sepse është lënë pa mbështetje nga qeveria:
“Ne kemi dalë prej javesh me një paketë ndihme për njerëzit që nuk kanë të ardhura. Kemi kërkuar që të gjithë ata që kanë humbur vendin e punës për shkak të pandemisë të kenë një ndihmë direkte nga shteti, kemi kërkuar që çdo familje shqiptare të ketë një ndihmë financiare.
Kjo bëhet në radhë të parë për të ndihmuar njerëzit, për të ndihmuar familjet shqiptare, por po u ndihmuan ata do ndihmoheni dhe ju; se ato para çfarë do bëjnë? Do rrisin xhiron. Ata nuk kanë për t’i kursyer këto lekë, do t’i hedhin për të blerë konsumin e përditshëm.”
Duke marrë shembull biznesin në fjalë, Basha shpjegoi idetë e tij dhe të PD për të ndihmuar biznesin në krizë si pasojë e rënies së konsumit:
“Zgjidhja është që ne të ndihmojmë konsumin dhe të ndihmojmë konsumin do të thotë t’i çojmë lekët sot aty ku kanë nevojë më shumë njerëzit, të ndihmojmë ata që kanë humbur vendet e punës, të ndihmojmë ata që janë në vështirësi ekonomike, të ndihmojmë sipërmarrjen e vogël, t’ju ndihmojmë ju që në vend që t’i hiqni njerëz nga puna, t’i mbani.”