Basha në Durrës: Vetëm largimi i Ramës rimëkëmb ekonomikë dhe dinjitetin e qytetarëve

Nga Exit News
Basha në Durrës: Vetëm largimi i Ramës rimëkëmb ekonomikë dhe dinjitetin e qytetarëve

Kreu i PD-së Lulzim Basha takoi të shtunën qytetarët në zonën e Kënetës në Durrës, të cilët përveç se nga tërmeti, janë goditur rëndë ekonomikisht dhe nga pandemia e Covid-19.

Basha akuzoi kryeministrin Rama se ka lënë pas dorë qytetarët e thjeshtë gjatë pandemisë, duke sjellë falimentimin e bizneseve të tyre dhe rrënimin e tyre ekonomik.

“Në zonën e Kënetës në Durrës takova qindra qytetarë të rrënuar nga pandemia ekonomike e qeverisë. Si kudo në Shqipëri, edhe këtu Ramavirusi ka shkatërruar ekonominë dhe vendet e punës, duke shtuar hallet për këta banorë të goditur rëndë edhe nga tërmeti i 26 nëntorit”, shkruan Basha në Facebook.

Basha theksoi se Rama i ka çuar leket e buxhetit të shtetit, jo tek qytetarët, por tek oligarkët:

“Në vend që të ndihmonte qytetarët paratë vazhdoi ti çonte te oligarkët. Vetëm pardje thesari i shtetit pagoi 700 mijë euro të parave tuaja, të taksave tuaja për inceneratorin e Tiranës.

Për t’i hapur rrugë ndërtimit të kullave, shembi Teatrin dhe do të marrë 30 milionë euro borxh. Sepse interesi i Edi Ramës nuk janë qytetarët që sot janë në pamundësi.”

Kreu i PD-së i premtoi qytetarëve se ardhja e opozitës në pushtet do të ndryshojë gjendjen e tyre sepse “Partia Demokratike ka vullnetin, vizionin, përvojën dhe dëshirën për t’i shërbyer qytetarëve.”

Ai i bëri thirrje njerëzve të bashkohen për të larguar Ramën nga pushteti si e vetmja mundësi për t’i kthyer qytetarëve dinjitetin dhe jetën normale:

“Vërtet nuk ka ende vaksinë për koronavirusin, por ka vaksinë për Ramavirus dhe ky është bashkimi ynë për të sjellë ndryshimin që pret çdo shqiptar: një qeveri normale për t’i garantuar qytetarëve një jetë normale dhe me dinjitet.”

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>