Kreu i PD-së Lulzim Basha akuzoi sot kryeministrin Rama se me keqqeverisjen e tij ka shkaktuar një krizë të thellë ekonomike në Vlorë.
Gjatë një vizite në Vlorë, Basha u takua me sipërmarrës, të cilët shprehën shqetësimet e tyre për rënien e punës dhe vështirësitë me të cilat u përballën gjatë pandemisë.
“Situata e rëndë ekonomike e ka gjunjëzuar Vlorën ashtu si gjithë Shqipërinë. U takova me qytetarë të dëshpëruar nga pamundësia ekonomike dhe braktisja e qeverisë sidomos në periudhën e pandemisë,” u shpreh Basha.
Ai akuzoi Ramën se nuk bëri asgjë për të ndihmuar sektorin e turizmit, duke lënë mijëra hotele dhe restorante në të gjithë Shqipërinë pa mbështetje ekonomike apo lehtësi fiskale dhe duke lënë pa punë qindra qytetarë që varen në mënyrë të drejtpërdrejtë nga turizmi.
Basha premtoi se PD ka gati një program ekonomik ku prioritet do të jetë hapja e vendeve të punës, rritja e pagave dhe pensioneve, lehtësira fiskale për biznesin dhe thithje e investimeve të huaja.