Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha denoncoi edhe njëherë sot promovimet në poste të larta shtetërore që Kryeministri Edi Rama u ka bërë personave me të shkuar të dyshimtë kriminale dhe abuzive me detyrat.
Me një postim në Facebook, Basha është përqendruar t’i përmendë personalisht vetëm Kryetarët e Bashkive të dala nga zgjedhjet e 30 qershorit, ndërsa në një video shoqëruese ka rikujtuar 6 raste të shkuara.
Nga kryetarët e bashkive që sipas demokratëve kanë probleme me të shkuarën janë 9 raste:
- -Valdrin Pjetri, Kryetari i Bashkisë Shkodër akuzohet nga demokratët se “fshehu të dhënat për të shkuarën e tij si trafikant droge”.
- -Pjerin Ndreu, Kryetari i Bashkisë Lezhë sipas demokratëve “është larguar nga policia e shtetit për trafiqe” dhe ka qenë “në listën e zezë të partnerëve ndërkombëtar që prej vitit 2003”. Basha thekson në statusin e tij se Ndreu është përfshirë edhe në përgjimet e dosjes 184 duke urdhëruar shkarkimin e mësuesve që nuk votonin socialistët në vitin 2016.
- -Artur Bushi, Kryetari i Bashkisë Krujë sipas demokratëve ka qenë i përfshirë në trafik narkotikësh në Itali.
- -Dionis Imeraj, Kryetari i Bashkisë Dibër, përfshihet në përgjimet e manipulimeve zgjedhore në Dibër.
- -Valbona Sako, Kryetarja e Bashkisë Durrës, njëjtë si Imeraj, lidhet edhe ajo me përgjimet në zgjedhjet e Dibrës, për vitin 2016.
- -Tërmet Peçi, Kryetari i Bashkisë Tepelenë akuzohet nga demokratët se ka një të shkuar si trafikant droge.
- -Klement Ndoni, Kryetari i Bashkisë Këlcyrë akuzohet gjithashtu si Peçi për të shkuar si trafikant droge.
- -Agim Kajmaku, Kryetari i Bashkisë Vorë, sipas demokratëve ka një dënim të kryer në Greqi.
- -Rakip Suli, Kryetari i Bashkisë Kamëz akuzohet nga demokratët se është i përfshirë në afera korruptive në tendera dhe qiramarrje të pronave shtetërore. Ai akuzohet gjithashtu se abuzoi me statusin e deputetit duke kandiduar për kryebashkiak.
Në postimin e tij Basha shoqëron edhe një video ku përmenden rastet e kaluara kur Kryeministri Rama ka promovuar persona me të shkuar të dyshimte kriminale.
Në video shfaqet edhe Kryeministri, i cili në vitin 2015 garantonte se nuk kishte asnjë person me probleme me ligjin në radhët e socialistëve.
Por më pas citohen Arben Ndoka, Armando Prenga, Mark Frroku, Elvis Rroshi, Saimir Tahiri dhe Vangjush Dako të cilët, pjesa më e madhe e tyre, janë përmendur edhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit si persona problematik me ligjin.
Kështu sipas demokratëve janë të paktën 15 persona deri më tani që janë promovuar në poste të larta shtetërore nga Kryeministri Rama, pavarësisht të shkuarës së tyre të dyshimtë.
Basha e mbyll postimin e tij duke theksuar se për të larguar krimin nga zyrat e shtetit duhet larguar Kryeministri Rama.
Në vitet 2014-2015 opozita ngriti vazhdimisht si problematike emërimet dhe promovimet e personave me të shkuar kriminale në administratë, parlament dhe bashki.
Pas një përpjekje të gjatë dhe me mjaft përplasje politike ligji i dekriminalizimit që u miratua më vonë largoi nga Kuvendi disa deputetë dhe po kështu zyrtarë të tjerë, ndër të larguarit më të bujshëm ishin Arben Ndoka, Armando Prenga, Mark Frroku, Elvis Rroshi, Aqif Rakipi, Gledion Rehovica, Mhill Fufi, etj.